zoom

Bota

Vaksina nuk po parandalon valën e tretë! Shumë shtete ashpërsojnë masat

Vaksinimi nuk ka parandaluar valën e tretë të COVID-19. Për shkak të rritjes me shpejtësi të shifrave të infeksionit dhe mbingarkesës në spitale, shumë shtete kanë parë si zgjidhje ashpërsimin e masave.

Edhe pse po bëhen tre muaj nga nisja e procesit të vaksinimit, ritmet kanë qenë të ngadalta, kjo e diktuar edhe prej sasisë së kufizuar të dozave anti-Covid. Në kushtet e një mbulimi vaksinal të kufizuar dhe në pamundësi për të përballuar fluksin në rritje të pacientëve që kanë nevojë për trajtim spitalor, mënyra e vetme për ndërprerjen e zinxhirit të infeksionit mbetet shtrëngimi i mëtejshëm i masave. Por ky lockdown është pritur me protesta në disa shtete europiane. Përveçse në Francë, autoritet u përballën me revolta edhe në Gjermani, Kroaci, Zvicër dhe Londër.

Në Gjermani, Policia përdori makinat e ujit dhe spërkatës me lëndë irrituese kundër 20 mijë protestuesve, të cilët kundërshtuan masat e reja kufizuese. Gjermania është në muajin e katërt të bllokimeve dhe përpjekjet e vaksinimit kanë qenë të ngadalta në raport me Britaninë dhe Shtetet e Bashkuara të Amerikës, ndaj edhe siç raporton “Zëri Amerikës” shumë njerëz po shfaqin gjithnjë e më shumë irritim për faktin që vendi nuk ka një rrugë të qartë për kthimin në jetën normale. Edhe në Londër pati përleshje, kur protestuesit kundër bllokimeve marshuan duke sfiduar paralajmërimet e Policisë që të mos afroheshin për shkak të kufizimeve të koronavirusit. Sipas autoriteteve, në protestë morën pjesë deri në 10 mijë persona, të cilët mbanin parulla ku shkruhej: “Ndal shkatërrimit të jetës së fëmijëve tanë”, “Pandemia është e rreme”.

VAKSINIMI

Por, cila ka qenë ecuria e vaksinimit? Mediat e huaja shkruajnë se në Europë ekziston ankthi për faktin se si do të vijojë rrjedha e vaksinimit, pasi, sipas “gjeografisë” së vaksinimeve, të paraqitur disa ditë më parë nga “Reuters”, vetëm 8.5% e europianëve janë vaksinuar.

Qëllimi i mbulimit të 70% të popullsisë, deri në verë, i vendosur nga Komisioni, përmes Presidentes Ursula von der Layen, duket gjithnjë e më i vështirë për t’u arritur. Në të njëjtën kohë, ekziston një ankth i përhapur për variantet e reja të koronavirusit që e bëjnë të vështirë përcaktimin e gjendjes. Në shumicën e vendeve europiane, varianti britanik është më i përhapuri. Shkalla e lartë e transmetueshmërisë e dëshmon më së miri këtë.

Një gjysmë shpresë është krijuar prej faktit që pjesa më e madhe e studimeve kanë dalë në përfundimin se vaksinat anti-Covid janë rezistente ndaj mutacioneve dhe mbrojnë me marrjen e dozës së parë. Në kushtet aktuale, kur ka një rritje të shpejtë të shifrave të infeksionit dhe kur ritmet e vaksinimit mbeten të ulëta, pikëpyetja që shtohet është nëse kjo valë e tretë do të jetë po aq vdekjeprurëse sa fazat e mëparshme? Janë 2,725,188 persona në të gjithë botën që kanë ndërruar jetë për shkak të COVID-19, pjesa më e madhe prej tyre në Europë dhe Shtetet e Bashkuara të Amerikës.