zoom

Aktualitet

“Vajza u nxit të vetëvritej”, Prokuroria nis hetimin e bisedave të fundit të Evgjeni Baxhos

Vdekja e 23-vjeçares, Evgjeni Baxho vazhdon të jetë e mbuluar me mister. Në trupin e së ndjerës u gjetën disa simbole të çuditshme. Prej kohësh flitet se 23-vjeçarja duhet të ketë qenë e përfshirë në ndonjë sekt, që në njëfarë mënyrë e ka çuar drejt këtij akti ekstrem.

Detajet e reja që kanë dalë në dritë e kanë bërë edhe më të komplikuar këtë çështje pasi sipas “TCH” kjo ngjarje kaq e mistershme dhe e ndërlikuar po hetohet nga prokuroria për akuzën e “shtyrjes në vetëvrasje”.

Kjo ka ardhur pasi atë natë që Baxho ka ndërruar jetë është takuar me një mashkull, identiteti i të cilit akoma nuk dihet.

Nga të dhënat e mbledhura nga prokuroria është zbuluar se vajza ishte duke ndjekur një rit, por pa dhënë detaje pasi këtë çështje do ta sqarojë përfundimisht rezultati i mjekësisë ligjore.

Detajet e rëndësisishme për hetimin janë edhe bisedat me personin, i cili e udhëzon se kë të takojë dhe kur ta takojë.

Bëhet e ditur se bisedat e sekuestruara janë 36 fletë formati A4, ndërsa vajza rrëfehet me këtë person për gjithçka, për familjen dhe jetën e saj personale.

Ky shtetas që është përshkruar nga fqinjët si personi që hyri në shtëpinë private në një moment i shkruan Evgjeni Baxhos se do të ndjente që energjitë do t’i binin, por ky nuk ishte fundi, ndërsa e këshillon se nuk duhet të takonte askënd dhe të mos fliste me askënd.

Fillimisht u raportua se e reja kishte ndërruar jetë pas një infeksioni në dhëmballë. Ngjarja ndodhi në mesditën e 18 majit në Tiranë, në lagjen Ali Demi në rrugën ‘Teodor Muzaka’. Baxho u gjet e pajetë në banesën ku jetonte me qira, pasi kishte ardhur në kryeqytet për të studiuar.

Mirëpo rrjedha e ngjarjes ndryshoi pasi grupi hetimor me ekspertin kriminalistik dhe mjekun ligjor vunë re në trupin e viktimës disa shkrime.

“Gjatë këqyrjes së vendit të ngjarjes është vënë re në trupin e kufomës, në pjesën e barkut një shkrim i panjohur, i bërë me lapostil me ngjyrë të kuqe nga kërthiza deri në pjesën e ezofagut. Po ashtu gjatë autopsisë në pjesën e shpinës së kufomës janë vërë re tre shkrime të tjera të panjohura, të bëra po ashtu me lapostil të kuq”, thuhej në dokumentin e Policisë Gjyqësore të siguruar nga “Top Channel”.

Urojmë dhe shpresojmë që kjo tragjedi e madhe të zbardhet sa më shpejt dhe të mos lihet në harresë dhe dosjen e saj të mos e “zërë pluhuri” siç ndodh shpeshherë në vendin tonë.