zoom

Politikë

Ushtria serbe në kufi / Rama: Ka zero fuqi. Lidhet vetëm me politikën e brendshme në Beograd

Kryeministri Edi Rama e cilësoi fuqinë e ushtrisë serbe të vendosur në kufi me Kosovën, si të barabartë me zero. Ai tha se të gjithë këto veprime nga Serbia lidhen me politikën e brendshme dhe asgjë më shumë.

“Kjo është shfaqja më e pabesueshme e politikës së brendshme. Sepse ushtria serbe në kufi të Kosovës ka një fuqi të barabartë me 0. Është njësoj si ushtria meksikane të shfaqej në kufi me Shtetet e Bashkuara të Amerikës me gjithë respektin e mundshëm sepse e dua Meksikën. Por çfarë mund të bëjë? Asgjë. Absolutisht asgjë. Ka të bëjë vetëm me politikën e brendshme…”, tha Rama.

Presidenti serb Aleksandër Vuçiç ka urdhëruar mobilizimin e ushtrisë në kufi me Kosovën pas tensioneve ditët e fundit në komunat me shumicë serbe.

Duke folur për përplasjen e fundit në veri të Kosovës, Rama vërejti se “për fat të keq gjithmonë përpara se të vijë vera kemi probleme në pjesën veriore të Kosovës. Atje nuk ka det dhe kokat nxehen. Ku ishin 20 vjet më parë, apo 10 vjet më parë? Ishim në një gjendje shumë më të vështirë. Sot Ballkani Perëndimor është në situatën më të mirë. Gjërat mes Kosovës dhe Serbisë janë vetëm një hap larg një marrëveshje, tani të dyja palët janë në një moment hezitimi. Kjo është perspektiva. Është më mirë se në çdo kohë. Ky konflikt aty ka një arsye që në këndvështrimin tim mund të ishte shmangur tërësisht. Por  nuk është tregues i problemeve konkrete. Ka kryetarë komunash të zgjedhur me 1% të votave dhe 99% nuk ndihen të përfaqësuar. Ka një hezitim për të arritur marrëveshjen”.