zoom

Aktualitet

U raportuan probleme që në prill! A mund të ishte parandaluar tragjedia e Tetovës

Të paktën dhjetë persona kanë humbur jetën në Tetovë, si pasojë e zjarrit që ka përshirë spitalin modular për trajtimin e të sëmurëve me koronavirus, të mërkurën (8 shtator) rreth orës 21:00.

Numri i viktimave mund të jetë më i lartë por deri më tani nuk mund të konfirmohet zyrtarisht.

Sipas informacioneve të pakonfirmuara, 20 persona vdiqën nga zjarri. Midis tyre ishin pacientë dhe staf mjekësor.

Krahas viktimave ka edhe shumë të plagosur.

Kjo është një ditë shumë e trishtuar, deklaroi ministri i Shëndetësisë, Filipçe përmes Twitterit.

Pritet një deklaratë zyrtare për të hedhur dritë mbi numrin e vërtetë të personave që humbën jetën nga zjarri dhe atë çfarë ndodhi aty.

Informacioni pritet nga një numër i madh i qytetarëve të cilët ankohen se nuk dinë asgjë për të dashurit e tyre, pacientët apo personelin mjekësor në klinikën e Tetovës.

Njerëzit të cilët u tronditën kur dëgjuan lajmin e tmerrshëm për të dashurit e tyre janë në shok.

“Mjekët po luftojnë për jetën e të plagosurve. I bëj apel mediave dhe qytetarëve që të mos spekulojnë me numrat. Ne do të ndajmë të gjitha informacionet e konfirmuara në kohën e duhur. Unë shpreh ngushëllimet e mia për familjet,” tha Filipçe.

Zjarri është shuar, por bashkë me të janë shuar edhe shumë jetë njerëzish.

Prokuroria Publike Themelore ka njoftuar se pesë prokurorë, tre nga Tetova dhe dy nga Shkupi janë angazhuar dhe janë në terren ku po kryejnë ekspertizë për të vërtetuar shkaqet që sollën deri te djegia e spitalit modular Kovid në Tetovë.

Për spitalin modular në Tetovë, në mesin e muajit prill ishte raportuar se janë konfirmuar gabime gjatë ndërtimit, raportojnë mediat vendase.

“Vërejtjet kanë të bëjnë me dyshemenë dhe disa gabime tjera të vogla infrastrukturore. Është dhënë afat prej 5 ditëve që të sanohen gabimet të ndodhura gjatë ndërtimit të spitalit modular. Rrymë dhe ujë ka. Për sistemin e oksigjenit jemi në kontakt me firmën nga ku na thanë se për 2-3 ditë mund të vendoset. Sistemi ka ardhur deri tek infektivja dhe mund të lidhet. Në rast se nuk dalin probleme të tjera, javën tjetër shpresojmë se do të vihet në përdorim”, deklaroi asokohe drejtori Ekonomik i Klinikës së Tetovës, Artan Etemi.

Kryeministri Zaev e ka konsideruar një tragjedi të madhe ngjarjen në Tetovë. Pasi ngushëlloi familjarët e viktimave, kreu i shtetit kërkoi hetimin e plotë të ngjarjes.

“Një tragjedi e madhe ka ndodhur në qendrën COVID-19 në Tetovë. Një shpërthim shkaktoi një zjarr. Zjarri u shua, por edhe shumë jetë u shuan. Lufta për jetën vazhdon ende, dhe të gjitha shërbimet janë përgjigjur me sakrifica dhe shpëtim njerëzish. Unë shpreh ngushëllimet e mia më të thella për familjet dhe të afërmit e të ndjerit dhe uroj shërim të shpejtë të plagosurve. Shkaqet e zjarrit do të përcaktohen, për të cilat autoritetet gjyqësore janë tashmë në terren. Kjo është një ngjarje vërtet tragjike dhe mund t’ju siguroj se i gjithë lidershipi shtetëror është i përkushtuar për zgjidhjen e shpejtë të kësaj situate”, shkruan Zaev.

Mesazhe ngushëllimi në drejtim të familjarëve të viktimave dhe autoriteteve maqedonase në këto moment të vështira kanë shkuar dhe nga liderët më të lartë politikë nga Shqipëria dhe Kosova.