zoom

Aktualitet

U lirua pas 9 muajsh i akuzuar si spiun në Shqipëri, ukrainasi Alpatov: Humba gjithçka

Hyrja për kuriozitet në uzinën e armëve në Gramsh gushtin e shkuar, i kushtoi Fedir Alpatovit nëntë muaj qëndrimi në paraburgimin e Elbasanit i dyshuar si spiun.

Sëbashku me rusët Svetlana Timofeeva dhe Mikhail Zorin, ata u liruan (detyrim paraqitje dhe arrest shtëpie) nga Gjykata e Elbasanit, e cila ka arsyetuar tejkalimin e afatit për mbajtjen e tyre në qeli.

Nga ana e tij, Alpatov, ka deklaruar se arrestimi në Shqipëri për spiunazh ishte një tragjedi e madhe për të dhe familjen tij, duke “humbur gjithçka” kishte.

Ai është shprehur se kishte ardhur në Shqipëri për të mësuar për historinë dhe jo për për spiunazh.

“Për mua dhe për familjen time ishte një tragjedi e madhe. Përpara se të vija në Shqipëri unë kisha një punë shumë të mirë, kisha karrierë, kisha një të dashur. Kisha ardhur në Shqipëri për të mësuar për historinë, të mësoja për komunizmin, për Enver Hoxhën dhe për gjëra të tjera interesante të historisë së Shqipërisë. U arrestova gjatë udhëtimit tim dhe ata më akuzuan mua për spiunazh. 5-6 ditë më vonë Edi Rama tha se ne nuk jemi spiunë dhe objekti ishte i deklasifikuar. Por ata që më lanë mua në burg për 9 muaj. Unë humba gjithçka”, deklaroi ai.

I riu ka treguar me detaje çfarë ndodhi ditën që u arrestua dhe se së bashku me miqtë e tij nuk e dinin kush ishin personat që po i ndiqnin.

“Ishte një fabrikë e braktisur në Gramsh dhe ne vendosëm të shihnim çfarë kishte brenda. Nuk kishte dritare dhe ne vendosëm të futeshim. Brenda godinës ne u përballëm me disa djem, tentuam të iknim në drejtime të ndryshme. Mikhail shkoi në një drejtim, unë në një drejtim tjetër. Siç e di unë, Misha vrapoi dhe pas disa momentesh ishte një makinë e zezë nga ku dolën disa djem që e ndaluan. Nuk dukeshin si ushtarakë, makina ishte një ‘Audi’ e errët. Misha mendoi se ata po e sulmonin dhe vendosi të mbrohej me spraj me piper. Ata e morën, e goditën dhe e futën në stacionin e policisë”, ka thënë Alpatov.

Pavarësisht se është i detyruar të paraqitet në prokurori një herë në muaj, Alpatov u shpreh se ai nuk largohet dot nga Shqipëria, pasi nuk ka pasaportë.

Kërkesa për lirimin e rusëve dhe ukrainsit nga qelia, u bë nga prokuroria, e cila nuk ka mundur të finalizojë hetimet për shkak të dërgimit jashtë vendit të disa pajisjeve të tyre që kanë qenë të enkriptuara.

Më herët, Gjykata e Elbasanit ka vendosur që të mos pranonte kërkesën e Moskës për të ekstraduar blogeren ruse, Svetlana Timofeva, e cila deklaroi se në vendin e saj i rrezikohej jeta.

Tre të huajt i kanë mohuar vazhdimisht akuzat ndaj tyre. Ata janë shprehur se kishin mbërritur Shqipëri si turisë të apasionuar pas uzinave të armëve.

Në 20 gusht, dy rusët Mikhail Zorin, 23-vjeç, Svetlana Timofeeva, 33-vjeçe dhe 25-vjeçari ukrainas Fedir Alpatov, po fotografonin ambientet në Uzinën e Armëve në Gramsh.

Ndërsa kanë tentuar që të futen brenda, u pikasën nga ushtarët shqiptarë, të cilët u kanë bërë me shenjë që të ndalojnë.

Ata nuk u janë bindur urdhrave të ushtarëve shqiptarë, ndërsa Mikhail Zorin, i ka sulmuar me spraj kimik.

Të tre u arrestuan nga policia, ndërsa u hetuan edhe si spiunë të shërbimit sekret rus.

Në makinën me targa ukrainase, që po përdorej prej tyre gjatë qëndrimit në Shqipëri u gjetën 2 dronë, 4 celularë, 1 laptop, 1 kamerë, karta memorie, 3 pasaporta, 2 aparate fotografikë, harta, të cilat u sekuestruan nga policia.