Aplikacion
82-vjeçarja ka treguar se pavarësisht se gjatë momentit të dhunës i biri ka qenë në punë, edhe kur është kthyer ai nuk ka ndërmarrë asnjë veprim ndaj bashkëshortjes së tij.
Ngjarja ndodhi më 10 shtator, por u zbulua këtë të enjtë kur e moshuara doli jashtë banesës dhe u vu re nga fqinjët e saj. Pas ngjarjes policia ka vënë në pranga nusen 43-vjeçare.
“Unë isha në shtëpi, nusja u kap me mua. Mori shkopin tim, se eci me shkop se jam me ishemi dhe më goditi, më mbuloi gjaku. Shkova në banjo, më hodhi ujë, më zhveshi lakuriq dhe më dha një këmishë nate të veshja.
Unë si thashë asgjë, unë 82-vjeçe, ajo gjysma ime, çfarë ti them. Më përpara mi ka shkulur flokët. Djali ishte në punë, tha ‘nënë pse u kape me të, ti e di se ajo është pak cik cak, themi ne. Unë nuk u kapa, isha duke ndejtur. Djali s’më çoi në spital, vetëm më pastroi fytyrën se isha e mbulur me gjak.
Mora telefonin sepse doja të lajmëroja policinë, ma kapën për dore dhe e hodhën përtokë, ma thyen. Djali iku në punë të nesërmen, unë u mërzita brenda dhe dola jashtë, më pa një komshije. Më tha ‘U si je bërë, po më dhimbesh moj grua’. Thashë ‘S’ka gjë se Allahu, ia bëftë asaj’. Policia erdhi në shtëpi dhe më pyeti ‘kush të ka dhunuar’, i thashë ‘nusja’. Të gjitha gjërat do t’i tregoj në polici se çfarë më ka bërë, 82-vjeçe të më bëjë këtë” ka thënë e moshuara.