zoom

Aktualitet

U arrestua për vrasjen e ish-deputetit, flet babai i Marjan Kolës: Është i pafajshëm

Flet babai i Marjan Kolës i dyshuar si bashkëpunëtor në vrasjen e ish-deputetit Pashko Ujka. Dedë Kola, 87 vjeç shprehet se djali i tij Marjan Kola mbrëmjen e vrasjes më 29 Nëntor ka qene në Kosovë.

Sipas tij, atje ndodhej bashke me autorin e dyshuar Kristian Kelmendi ndërsa thotë se kanë shkuar për qejf për të blerë disa rroba. Dedë Kola shprehet se djali i tij nuk ka asnjë lidhje me vrasjen dhe madje thotë se vetëm pak minuta para vrasjes shfaqet në një poligon qitjeje në Kosovë ku kanë qëndruar deri në orën 18:20 moment kur ka ndodhur vrasja në Shkodër.

87-vjeçari shprehet se nuk kane patur kurrë probleme dhe janë një familje që kanë edhe dëshmorë. Po ashtu edhe vëllai i Marjan Kolës, Petrit Kola shprehet se vëllai i tij nuk ka asnjë lidhje me vrasjen e ndodhur pasi Marjan Kola ndodhej në Kosove më 29 Nëntor.

Dedë Kola: Jam 87 vjeç sot. Shteti sot për djalin që ma kanë kapur të pafajshëm kërkoj drejtësi se e kam të pafajshëm. Shtetit i është dashur që të marrë masat e veta të sigurta, jo me ma kap djalin pa kurrë farë faji. Unë jam familje dëshmori, se më ka lënë djali kryet. Si ka mundësi kjo punë me e kap pa kurrë farë prove.

Gazetari: Ku ka qenë djali?

Dedë Kola: Djali ka qenë në Kosovë. Ka shkuar me 28 në Kosovë, më 29 Ka qenë në Kosovë. Ku është bërë ngjarja në 29 në mbrëmje ai ka qenë në Kosovë. Janë prova të tëra.

Gazetari: Çfarë lidhje ka me personin tjetër?

Dedë Kola: Shokë, asnjë lidhje tjetër.

Gazetari: Viktimën e keni njohur?

Dedë Kola: As nuk e kemi njohur, as nuk kemi pasur marrëdhënie me të. Fëmijët e mi nuk i kanë marrë ato rrugë kurrë. Jam shumë i dëshpëruar.

Gazetari: Për çfarë ka shkuar në Kosovë Marjani?

Dedë Kola: Për qejf. Ka blerë rroba. I ka në makinë edhe ato rroba, të tëra me fatura. Kur janë kthyer janë arrestuar.

Gazetari: Në orarin e vrasjes rezulton kund me kamera?

Dedë Kola: Ka qenë në Kosovë.

Petrit Kola: Është poligoni, në Kosovë, është me kamera, është me orare, kur ka hyrë im vëlla në poligon qitjeje, i ka kamerat shteti shqiptar. Dje kam qenë në Kosovë kam bërë kallëzim në polici të Kosovës për këtë punë që të bllokohen kamerat komplet.

Gazetari: Kur është arrestuar vëllai, kur ka hyrë në Shqipëri që është arrestuar?

Petrit Kola: Vëllai im me 30 është arrestuar, 11 e 30 të paradites. I ka në dispozicion prokuroria por nuk e kanë shqyrtuar çështjen. Jemi të zhgënjyer prej kësaj qeverie. Dua vetëm drejtësi. Nuk dua më lënë gjë për hatër. Dua me ndjek vetëm drejtësinë.