zoom

Aktualitet

Turqia miraton ekstradimin e Dritan Rexhepit drejt Shqipërisë. Akuzohet për zhdukjen e Prengës

Lajme interesante nga Stambolli, ku raportohet se drejtësia ka marrë një vendim në favor të homologëve shqiptarë.

Turqia ka miratuar ekstradimin në Shqipëri të Dritan Rexhepit. Gjykata pranoi kërkesën, teksa në garë ka qenë edhe Italia. Pritet gjatë kësaj jave edhe miratimi nga ministri turk i Drejtësisë.

Ky fakt u pohua në Gjykatën e Posaçme nga avokatja e Rexhepit, e cila ne seancën për paraqitjen e provave, ku Rexhepi është i pandehur për rrëmbimin dhe zhdukjen e Jan Prengës.

Rexhepi nuk e ka pranuar asnjëherë që ai të qëndrojë pas zhdukjes. Krimi erdhi si pasojë e një grabitjeje të drogës në Angli nga vëllai i viktimës, teksa karteli shqipfolës reagoi me fatalitet.

Në dosje ka të paktën 13 të akuzuar, me rexhepin si të dyshuar porositës. Rexhepi është i dënuar edhe për vrasjen e një polici në Krujë më 1999, si dhe krime të tjera droge në Europë, apo arratisje. Së fundmi vuajti 11 vite burg për trafik kokaine në Ekuador.

Dritan Rexhepit, ishte në listën e Interpolit, pasi kërkohet edhe nga Italia që e ka dënuar me 20 vite burg dhe Ekuadori.

Dritan Rexhepi u kap si rezultat i bashkëpunimit mes agjencive ligjzbatuese të disa vendeve partnere dhe Shqipërisë.

“Ky shtetas është shpallur në kërkim ndërkombëtar nga Interpol Tirana, më datë 26.03.2006, pasi Gjykata e Shkallës së Parë për Krimet e Rënda, Tiranë, me vendimin e datës 06.06.2013, e ka dënuar me 25 vjet burgim, për veprën penale “vrasja me paramendim”, kryer në bashkëpunim, “plagosja e rëndë me dashje”, kryer në bashkëpunim dhe “mbajtja pa leje dhe prodhimi i armëve, armëve shpërthyese dhe i municionit”, thuhet në dosjen penale. /ZOOM.AL/