zoom

Aktualitet

“Turp për kryeministrin shqiptar”, ​dënohet sjellja e Ramës ndaj gazetarëve nga Kosova

Asociacioni i Gazetarëve të Kosovës e vlerëson të papranueshme sjelljen e kryeministrit të Shqipërisë Edi Rama në raport me gazetarët nga Kosova, që ishin pjesë e konferencës me kancelaren gjermane Angela Merkel.

“Në këtë konferencë pjesë e rëndësishme e diskutimit ishte edhe Kosova dhe sipas kolegëve tanë, Rama është përkujdesur që të mos lejojë gazetarët kosovarë të bëjnë pyetje për kancelaren Merkel. Një ndarje e tillë, për nga prejardhja, e gazetarëve në një takim ndërkombëtar është akt i papranueshëm”, thuhet në reagim.

Edhe sekretari i Përgjithshëm i Federatës Evropiane të Gazetarëve (EFJ) reagoi kundër veprimeve të kryeministrit Rama.

“Turp për kryeministrin shqiptar, Edi Rama, i cili qëllimisht i injoroi pyetjet e gazetarëve nga Kosova. Federata Evropiane e Gazetarëve e dënon këtë segregim shokues”, tha Ricardo Gutierrez.

Ndryshe, konferenca e përbashkët mes kryeministrit Edi Rama dhe kancelares Angela Merkel është shoqëruar me një incident në momentin e fundit.

Përkthyesja e kancelares tha se për shkak të agjendës së ngarkuar politike konferenca duhet të mbyllej.

I të njëjtit mendim ishte edhe kryeministri Rama, por kjo mbyllje e befasishme e konferencës nuk u prit mirë nga gazetarët të cilët kërkuan që konferenca të vijonte. Kështu kryeministri ua ktheu atyre se me të mund të vazhdonin, por kancelarja duhet të vazhdonte me agjendën e saj.

“Shumë faleminderit. Kjo ishte agjenda. Me mua bashkë, po mund të vazhdojmë, por kancelarja nuk ju ka borxh”, u tha Rama gazetarëve.