zoom

Sport

Tri ndeshje për të thënë lamtumirë, Pirlo dhe Cristiano, fat të përbashkët

Është e vështirë të besosh verbërisht Pavel Nedvedin kur ai thotë se Pirlo do të jetë trajneri i Juventusit edhe sezonin e ardhshëm. Po aq të pabesueshme janë fjalët e tij se Cristiano Ronaldo do të mbetet pjesë e bardhezinjve. Trajneri i Juventusit, koherent me veten, sigurisht beson dhe shpreson, por mundësia për t’i parë të dy, akoma së bashku, në Continassa, duket shumë e vogël.

Pirlo do të jetë trajner për tri ndeshjet e ardhshme, sigurohet ose jo pjesëmarrja në Champions. Ai mund të ishte dorëhequr ose të shkarkohej nga detyra që pas humbjes së rëndë përballë Milanit, por në fund mbizotëroi linja e Pavel Nedvedit, në kontrast të plotë me atë të Paraticit. Diskutimi midis dy drejtuesve pas disfatës kundër kuqezinjve ishte vërtet shumë i ndezur.

Në Continassa vendosën për vazhdimësinë, por vetëm për momentin. Ndryshimi, kur kishin mbetur vetëm tri ndeshje për t’u luajtur, kishte pak kuptim. Sidoqoftë, kjo nuk do të thotë që Pirlo ka fituar besimin për sezonin 2021/22. Në të vërtetë, ai nuk do të jetë më trajner i Juventusit.

Allegri është i zgjedhuri, por ai ende duhet të bindet, ose më saktë, mbetet pak skeptik për faktin se Juvja mund të përfundojë në Europa League. Trajneri toskan, është në “pole”, por alternativë mbetet edhe Zinedine Zidane, i cili mund të largohet nga Reali nëse nuk e fiton LaLigan. Emra të tjerë sugjestionues janë: Simone Inzaghi, Gasperini, madje edhe Gattuso. Tani për tani janë vetëm zëra, por kujdes nga surprizat.

Tema tjetër ka të bëjë me Cristiano Ronaldon. Më shumë se çdo gjë tjetër, për shkak të premtimit të Pavel Nedvedit. A do të qëndrojë CR7 për të luajtur në Europa League? Çështja, në të vërtetë, është se Cristiano do të qëndrojë vetëm nëse nuk gjen një destinacion të ri, që plotëson ambiciet e tij ekonomike dhe profesionale. Në të dyja rastet, ambiciet janë të larta, sepse, pa nënvlerësuar cilësitë e portugezit, tani për tani, nuk ka asnjë klub të madh që interesohet vërtet për të. Megjithatë qëndrimi “domosdoshmërisht” do të ishte joproduktiv. Edhe për arkat e Juves, që pa pjesëmarrjen në Championsin do të humbte një shumë të barabartë me pagën bruto të CR7. Kjo sigurisht që do të ishte shumë.