zoom

Politikë

Trazohet PS/ Arta Dade, kundër kandidimit të Najada Çomos dhe Luljeta Bozos

Futja e Najada Çomos dhe Luljeta Bozos në listat e deputetëve të PS po jep efektin e kundërt të asaj për të cilën i zgjodhi ato Edi Rama.

Në rrjetet sociale këto “prurje të reja” u ironizuan në kufijtë e imagjinatës, me “meme” apo postime. Edhe zoom.al solli në vëmendje në një shkrim të mëparshëm disa argumente se përse Bozo e Çomo po i shërbenin Edi Ramës vetëm si makiazh dhe nuk shënojnë ndonjë pikë kthese në mënyrën e politikbërjes së Ramës.

Futja e emrave të tyre në lista ka trazuar edhe vetë PS. Disa deputetë që nuk do të jenë më në vendet e sigurta, si pasojë e spostimit, u larguan, si Sadi Vorpsi apo Reme Lala.

Së fundi, kundër Çomos e Bozos ka folur edhe Arta Dade, ish -ministre dhe ish -anëtare e kryesisë së PS.

Dade thotë se ato nuk janë zgjedhja e duhur, pasi jo çdo specialist mund ta fusësh në parlament dhe pasi ata janë më të dobishëm në vendin e tyre të punës se sa si deputetë.

“Më vjen keq për shembull ke një specialist të shkëlqyer, grua qoftë burrë qoftë dhe drejton një institucion të rëndësishëm, jo për faktin që ke një specialist kaq të spikatur dhe që është kaq i suksesshëm në punën që bën ti mund ta marrësh atë dhe ta çosh në parlament.

Vetë duhet të bësh përllogaritjet ku e gjen ti veten dhe a prish punë në këtë sektorin që ke drejtuar deri tani, siç është rasti tani që pam disa emra të spikatur, por që ata janë shitur në opinionin publik si specialistë mirëfilli.

Në qoftë se do të bëhet një bilancë tani, do të jenë më të spikatur dhe do të jenë më të nevojshëm, më të domosdoshëm në Parlament apo mund të jenë më të domosdoshëm atje ku drejtojnë sektorët e rëndësishëm, aq më tepër në kushtet e tanishme të pandemisë dhe të sfidave të jashtëzakonshme që ka jo vetëm Shqipëria, por gjithë njerëzimi në përballjen me pandeminë dhe impaktin që pandemia ka patur në ekonomi në anën sociale, në arsim, në shëndetësi, në shumë gjëra të tjera”, u shpreh Dade në emisionin “Fol me mua”.

Sipas Dades parlamentet kanë ardhur duke u përkeqësuar në nivel të cilësisë.

“Tani është bërë vërtet parlamenti që shpesh njerëzit e mbyllin televizorin sepse nuk dëgjojnë asgjë, nuk ka debate mirëfilli, nuk ka debate për problematikën që ka vendi, nuk ka kritika qoftë edhe nga maxhoranca për qeverinë. Pra parlamenti nuk është në rolin e tij kushtetues sepse roli i parlamentit është vërtet të hartojë ligje, por është edhe të monitorojë ekzekutivin“, u shpreh ajo.

Çomo e Bozo janë në vende të sigurta në listat e PS dhe për pasojë do të jenë deputete të parlamentit të ri. Futja e tyre në parlament, më shumë se për çfarë përfaqësojnë, ka ngjallur debat për faktin se zëri i tyre ka pak gjasë të dëgjohet nga një parti që e ka varrosur në çdo formë mendimin ndryshe dhe demokracinë e brendshme.

Një debat i ri është ndezur orët e fundit në mediat online nga publikimi i një videoje ku inxhinierja Luljeta Bozo shihet teksa merr pjesë si delegate komuniste ditën kur Partia e Punës vendosi të ndryshojë emrin në Parti Socialiste, video kjo e publikuar edhe nga zoom.al.

Luljeta Bozo/ Prurja e re, komuniste e vjetër (VIDEO)