zoom

Bota

Trazirat në Mal të Zi pas shugurimit të mitropolitit serb, reagon BE

Bashkimi Evropian shprehu shqetësim për situatën në Mal të Zi, pas trazirave që shpërthyen atje me rastin e shugurimit të kreut të Kishës Ortodokse Serbe në Mal të Zi, Joanikije.

Në reagimin e BE-së kërkohet përmbajte dhe hetime për dhunën.

“Zhvillimet në Mal të Zi janë tejet shqetësuese. Liria e tubimit është e drejtë themelore e BE-së. Në të njëjtën kohë, ajo e drejtë duhet të përdoret pa paragjykuar shëndetin publik dhe në përputhje të plotë me sundimin e ligjit, rendin publik dhe sigurinë e të gjithë qytetarëve të Malit të Zi”, thuhet në reagimin e Bashkimit Evropian.

“Cilido përdorim i forcës duhet të jetë i matur dhe proporcional në secilin moment. Ne bëjmë thirrje për përmbajtje dhe presim nga organet kompetente që të hetojnë dhe sigurojnë proces të duhur gjyqësor për rastet e dhunës, si ndaj protestuesve, ashtu edhe ndaj zyrtarëve të rendit”, tha BE-ja.

Mitropoliti i Malit të Zi, Joanikije, u shugurua të dielën në Cetinë të Malit të Zi.

Shugurimi në Cetinë shkaktoi tensione të larta midis qytetarëve malazezë dhe serbë të Malit të Zi.

Ngjarja u përcoll me disa incidente, dhjetëra të plagosur dhe angazhimin e forcave të shumta policore.

Cetina është qendra kulturore dhe historike e Malit të Zi dhe simbol i identitetit shpirtëror, shtetëror dhe kombëtar për malazezët.

Në të njëjtën kohë, qyteti është seli e Mitropolisë së Kishës Ortodokse Serbe në Mal të Zi dhe vend ku janë shuguruar shumica e mitropolitëve.