zoom

Aktualitet

Tragjedia me 14 viktima në Tetovë, Shqipëria i ofron ndihmë Maqedonisë së Veriut

Shqipëria i ka ofruar zyrtarisht ndihmë Maqedonisë së Veriut, pas tragjedisë në spitalin e Tetovës.

Lajmi bëhet i ditur nga ministrja Ogerta Manastirliu, e cila ka zhvilluar një bisedë me homologun maqedonas, Venko Filipçe, të cilit i ka shprehur gatishmërinë për të ndihmuar me të gjitha mundësitë dhe burimet tona.

“Gjatë bisedës me kolegun Venko Filipce të Maqedonisë së Veriut, i shpreha ngushëllimet për qytetarët që humbën jetën në tragjedinë e Tetovës, dhe e sigurova për gatishmërinë tonë, për të ndihmuar me të gjitha mundësitë dhe burimet tona, në këtë moment të vështirë për fqinjët tanë”, shkruan Manastirliu.

Tragjedia ndodhi në një qytet shqiptar si Tetova teksa deri më tani janë shënuar 14 viktima dhe dhjetëra të lënduar.

Zjarri tashmë është shuar plotësisht, ndërsa flakëve iu deshën vetëm disa minuta për të gllabëruar godinën, të ndërtuar vetëm disa muaj më parë. Në lidhje me ngjarjen e rëndë, Qeveria e Maqedonisë së Veriut ka caktuar sot në orën 10:00 një mbledhje të jashtëzakonshme.