zoom

Politikë

Tragjedia e Gërdecit/ Këta janë gjyqtarët që mbyllen dosjen për Fatmir Mediun

“Dosja Gërdeci” është një ndër çështjet e pazbardhura nga drejtësia shqiptare, ndërsa sot pas shumë vitesh u pa një dritë e vogël në fund të tunelit, pasi SPAK rihapi çështjen duke i dërguar një kërkesë Gjykatës së Lartë.

Ish-ministri i Mbrojtjes së asaj kohe në drejtimin e qeverisë nga Sali Berisha, Fatmir Mediu u kallëzua nga banorët e zonës si personi me përgjegjësinë më të madhe për vdekjen e 26 personave në atë tragjedi.

Por një vit më pas në datën 14 shtator të vitit 2009, Kolegji Penal i Gjykatës së Lartë, i kryesuar nga Besnik Imeraj dhe me anëtarë Evjeni Sinoimeri, Ardian Nuni, Majlinda Andrea dhe Evelina Qirjako vendosën me shumicë votash për të mbyllur dosjen e Fatmir Mediut.
Besnik Imeraj, Ardian Nuni dhe Majlinda Andrea votuan pro mbylljes së dosjes së Fatmir Mediut.

Argumenti i tyre ishte “Për shkak se imuniteti është garanci e Kuvendit si institucion dhe jo e deputetit të tij, vazhdimi i gjykimit kundër të pandehurit do të cenonte vetë integritetin e Kuvendit, i cili është vetë ai që mund të vendosë për heqjen e këtij imuniteti mbi një kërkesë të posaçme, vetëm të organit të akuzës”.

Ndërsa dy anëtaret e tjera, Evjeni Sinoimeri dhe Evelina Qirjako votuan kundër mbylljes së dosjes. Dy ish-anëtaret e Gjykatës së Lartë kanë mbështetur arsyetimin e prokurorisë se rizgjedhja e Mediut deputet nuk zhvlerëson autorizimin e Kuvendit për ta ndjekur penalisht.

Sipas tyre “vijimësia e efekteve kushtetuese dhe juridiko-penale të autorizimit të dhënë njëherë nga Kuvendi është rrjedhoje e vijimësisë së veprimtarisë së këtij organi kushtetues pavarësisht ndarjes në legjislatura dhe ndryshimeve që ndodhin në përbërjen nominale të tij, për shkak të zgjedhjeve të reja”.

Gjatë këtyre 13 viteve, ka pasur disa përpjekje për të nxjerrë para drejtësisë Fatmir Mediun për tragjedinë e Gërdecit, por pa rezultat. SPAK thotë se ekzistojnë të gjitha shkaqet ligjore për revokimin e vendimit të pushimit të çështjes penale ndaj shtetasit Fatmir Mediu, e pushuar me vendimin nr.6, datë 14.09.2009 të Kolegjit Penal të Gjykatës së Lartë.

Janë ndryshimet kushtetuese të reformës në drejtësi ku thuhet se “deputeti nuk ka më imunitet parlamentar për ndjekjen penale ndaj tij, për hetimin apo për gjykimin e tij” që ia mundësuan SPAK rihapjen e hetimeve ndaj Mediut. Kreu i Partisë Republikane, Fatmir Mediu, njëkohësisht aleat i Bashës në zgjedhjet e 25 Prillit foli për herë të parë në “Breaking” në Top News pas rihapjes së hetimeve nga SPAK në lidhje me tragjedinë e Gërdecit, ku tha se e lajmin e mësoi nga mediat dhe sjellja e SPAK ka shumë pikëpyetje se kanë tejkaluar afatet, por do të marrë veprime pasi të shohë se si do të sillet Prokuroria e Posaçme.

Në tragjedinë e Gërdecit u përmenden edhe emra të tjerë, një prej të cilëve edhe djali i ish-kryeministrit, Sali Berisha, Shkëlzen Berisha.

Më 19 dhjetor në vitit 2018 ai ka firmosur një kontratë blerjeje prej 1,8 milionë euro për disa prona, truall dhe ndërtesa në Marqinet, zonë e cila ndodhet në mes të Vorës dhe Gërdecit.