zoom

Aktualitet

Trafikuan 2.6 tonë marijuanë, burg për Arlind Tabakun dhe Përparim Shurdhin

Gjykata e Shkodrës ka lënë në masën e sigurisë “arrest me burg” Arlind Tabakun dhe Përparim Shurdhin të arrestuar dy ditë më parë si bashkëpunëtorë në trafikimin e 2.6 tonë marijuanë që u kap në kamionin me targa shqiptare në Mal të Zi.

Sipas organit të akuzës 36-vjeçari Tabaku dyshohet se është personi,  i cili i ka gjetur magazinën shoferit të kamionit, Ervis Calliku tashmë i arrestuar.

Ky i fundit i kishte kërkuar Arlind Tabakut t’i gjente një ambient me qira për të lënë fruta perimet në Lushnjë. Magazina e marrë me qira nga shoferi Caliku ishte në pronësi të Përparim Shurdhit.

Ndonëse të vënë përballë kësaj akuze dy të dyshuarit kanë mohuar përfshirjen në trafikimin e tonelatave me marijuanë.

Nga ana tjetër përfaqësuesit ligjor të Arlind Tabakut pas seancës gjyqësore thanë se prokuroria nuk ka asnjë provë për përfshirjen e tij në trafikimin e lëndës narkotike. Ndërsa shtuan se është absurde për autoritetet, që nuk kanë nisur hetim për punonjësit e doganës ku kaloi kamioni.

“Sot Prokuroria e Rrethit Gjyqësor Shkodër solli zero prova ndaj tij. Ka vetëm një deklarim të z. Arlind  Tabaku, i cili deklaron se me shoferin ka kontaktuar në datën 27, ku ka kërkuar së bashku me të një ambient me qira në Lushnjë, dhe prej datës 27 pretendimi i datës  2 nëntor, ku pretendohet se kamioni ka qëndruar në qytetin e Lushnjës nuk ka më asnjë lloj kontakti ”, tha Saimir Korreshi, avokati i Arlind Tabakut. 

“Është për t’u çuditur se deri tani nuk është marrë në përgjegjësi penale asnjë shtetas që punon në zyrën doganore të Hanit të Hotit, ndërkohë që kapen dy shtetas, ku puna e vetme është ngarkim-shkarkimi i fruta-perimeve”, tha avokati tjetër, Anton Korreshi.

Pak ditë më parë një sasi prej 2.6 tonë marijuanë u bllokua në rrethinat e Podgoricës në Mal të Zi. Droga u kap në një kamion me targa shqiptare e fshehur mes fruta perimeve dhe destinacion final kishte Gjermaninë.