zoom

Aktualitet

Trafiku i armëve Kosovë-Shqipëri, arrestohen 4 persona dhe kapen 10 pistoleta. Skema dhe rolet

Policia e Tiranës sapo ka finalizuar një operacion të goditjes së trafikut të armëve nga Kosova drejt Shqipërisë, duke kryer sekuestrime dhe arrestime. Armët ngarkoheshin në autobusin e linjës si bagazh dhe autorët e ndiqnin me një mjet tjetër nga pas në itinerar, që të siguronin dorëzimin.

Si pasojë e operacionit janë sekuestruar 10 pistoleta, ndërsa katër persona, të gjithë nga Kosova, kanë përfunduar në prangat e policisë. Dyshohet se armët trafikoheshin nga kufiri ilegalisht, teksa dyshohet se ka edhe bashkëpunëtorë që i ndihmonin të mos pikaseshin në kontrolle.

Mësohet se pistoletat shiteshin në tregun e zi për grupe kriminale dhe individë me çmime deri në 3 mijë euro.

“Seksioni për Hetimin e Trafiqeve të Paligjshme, në bashkëpunim me Seksionin për Operacionet Speciale në DVP Tiranë, në kuadër të një procedimi penal të ndjekur me metoda speciale të hetimit, në drejtimin e Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Tiranë, si dhe në zbatim të masave të planit operacional “Sundimi i ligjit”, finalizoi operacionin e koduar “Transportuesi 2”.

Gjatë operacionit, në vendparkimin e një terminali autobusëzh, në Lundër, u kapën dhe arrestuan në flagrancë shtetasit: B. K., 28 vjeç, B. Sh., 20 vjeç, E. Th., 25 vjeç, dhe M. K., 20 vjeç, të gjithë banues në Kosovë”, tha policia e kryeqytetit.

Nga hetimet e para rezulton se shtetasi B. K., dyshohet se ka vënë në autobusin me drejtues shtetasin E. Th., një çantë brenda së cilës u gjetën 10 armë zjarri pistoleta, 10 krehra dhe sasi municioni luftarak. Më pas, shtetasi B. K., në bashkëpunim me shtetasin M. K., kanë ndjekur me automjetin e tyre, autobusin, gjatë gjithë itinerarit.

“Nga verifikimet e kryera ka rezultuar se armët e zjarrit ishin trafikuar në Tiranë, me qëllim shitjen në vlerat 1500-3000 euro. Po nga verifikimet e kryera dyshohet se pronari i linjës së autobusëve, shtetasi E. Th., së bashku me shtetas të tjerë, ka trafikuar armë zjarri drejt Shqipërisë, në disa raste”, tha policia.

Në cilësinë e provës materiale u sekuestruan 10 armë zjarri pistoleta, me krehra dhe municion luftarak, 1 automjet dhe 5 celularë. /ZOOM.AL/