zoom

Bota

Tmerr në Bullgari/ Gjenden 18 emigrantë të vdekur në një kamion

Një lajm horror është raportuar mesditën e sotme nga mediat bullgare, të cilat bëjne me dije se trupat e pajetë të 18 emigrantëve nga Lindja janë gjetur në një kamion që transporton lëndë drusore, në fshatin Lokorsko, shumë pranë Sofjes.

Ishte Ministria e Punëve të Brendshme bullgare që konfirmoi viktimat për Btvnovinite.com, ndërsa bëhet me dije se 14 të tjerë ndodhen në gjendje shumë të rëndë pasi janë dehidratuar dhe kanë ngrirë prej të ftohtit.

Sipas të dhënave të Shërbimit Emergjent të Sofjes ata kanë mbetur pa oksigjen, ujë dhe ushqim për një kohë të gjatë, ndërsa shumica e të plagosurve janë dërguar në spitalet e Sofjes.

Shumë prej refugjatëve janë dukshëm të grupmoshë 15-25 vjeç dhe asnjëri prej tyre nuk ka patur dokument identifikimi.

Pesë skuadra punuan në terren me të plagosurit, të cilëve iu dha ndihma e parë me oksigjen, para se të transportoheshin në ambientet e spitalit.

“14 nga refugjatët e gjetur në afërsi të fshatit Lokorsko janë në gjendje shumë të rëndë. Bëhet fjalë për kushtet toksikologjike pas mbytjes”, tha për bTV, zëdhënësja e Qendrës për ndihmë emergjente mjekësore, Katya Sungarska.

“Pesë autoambulanca janë dërguar për të transportuar emigrantët e lënduar. Një tjetër pritet të përfshihet. Fatkeqësisht, numri i të vdekurve është rritur. Të tillë janë tashmë 18. Janë gjashtë persona të shtruar në reanimacionet e Spitalit Rajonal “Pirogov”, “VMA” dhe “Shën Anna”.

Katër të tjerë nuk janë në gjendje aq të rëndë – janë në VMA dhe “Pirogov”. Refugjatët po udhëtonin me një kamion që ishte braktisur në pyll”, shtoi ajo.

Njoftimi për refugjatët e gjetur është dhënë fillimisht në orën 14:15 të ditës së sotme dhe ka të bëjë me një kamion të braktisur në tokën e fshatit Lokorsko dhe një grup njerëzish përreth tij, ndërsa nuk raportohej për ndonjë aksident trafiku.

Vlerësohet se në kamionin që transportonte lëndë drusore ndodheshin gjithsej 40 persona. Mediat bullgare raportojnë se emigrantët ishin fshehur në një vend të veçantë të krijuar nën ngarkesën me dru dhe qëndruan aty për një kohë të gjatë.

Mediat bullgare raportojnë se drejtuesit e mjeteve janë larguar dhe policia është vënë në kërkim të tyre.