zoom

Bota

Tjetër lëkundje tërmeti e fuqishme në Turqi, mbi 69 të plagosur dhe 1 viktimë

Turqia ende nuk po gjen qetësi. Një tjetër tërmet ka goditur provincën Malatya këtë të hënë.

Tërmeti ndodhi rreth orës 09:00 të mëngjesit me qendër në rrethin Yeşilyurt të qytetit, ndërsa magnituda e tij ishte 5.6.

Sipas mediave vendase shumë ndërtesa janë shembur, po ashtu ka pasur mbi 69 të plagosur ndërsa raportohet edhe për një viktimë.

“Pas tërmetit me magnitudë 5.6 që ndodhi në rrethin Yeşilyurt të provincës Malatya, u konstatua se dhjetëra ndërtesa janë shembur dhe ekipet tona të kërkim-shpëtimit u dërguan shpejt në rajon dhe filluan të punojnë”, thuhet në njoftimet në rrjet.

Qytetarët që kanë dalë në rrugë menjëherë pas tërmetit janë paralajmëruar që të qëndrojnë larg strukturave të prishura dhe të mos hyjnë në objektet e dëmtuara. Gjithashtu u tha se tërmeti përveç Malatyas është ndjerë edhe në provincat përreth, duke përfshirë Kahramanmaraş, Gaziantep, Adiyaman dhe Şanlıurfa.

Ndërsa vendi ende ndodhet nën tragjedinë e shkaktuar nga tërmeti shkatërrues me magnitudë 7.8 të datës 6 shkurt. Javën e kaluar, autoritetet turke thanë se rreth 865,000 njerëz jetonin në tenda dhe 23,500 persona janë vendosur në kontejnerë, ndërsa 376,000 ishin në konvikte studentore dhe bujtina publike jashtë zonës së tërmetit./zoom.al/