zoom

Aktualitet

Tentoi të abuzonte me të miturën, Gjykata e Lezhës lë në burg efektivin e policisë

Gjykata e Lezhës ka dhënë masën e sigurisë “arrest me burg” për efektivin e policisë Kol Kola. 62-vjeçari u arrestua të martën nga Shërbimi për Çështjet e Brendshme dhe Ankesat me akuzën për ngacmim seksual. Kola, me detyrë Ndihmës Specialist i Policimit në Komunitet pranë Komisariatit të Policisë Lezhë, akuzohet se më datë 29 prill 2021, ka tentuar të kryejë marrëdhënie seksuale me një të mitur.

Nga hetimi ka rezultuar se punonjësi i policisë K.K. ka shfrytëzuar rastin që e mitura ka qenë e pashoqëruar nga persona madhorë, e duke keqpërdorur atributet që i jep detyra funksionale, nëpërmjet mashtrimit se do ta shoqëronte në Komisariatin e Policisë, e ka marrë të miturën në një banesë në qytetin e Lezhës, që e kishte në përdorim. Aty dyshohet se ka kryer vepra të turpshme, duke tentuar gjithashtu të kryejë marrëdhënie seksuale. Këto veprime janë kundërshtuar nga e mitura, e cila u largua me forcë nga banesa.

Nisur nga kallzimi i të miturës dhe nga verifikimet paraprake të Policisë Gjyqësore, që dokumentoi me prova shkencore rastin, si edhe duke siguruar pamje filmike, është arritur në konkluzionin se shtetasi K.K. ka konsumuar elementë të veprës penale “Ngacmim seksual”.