zoom

Aktualitet

Televizionet i shtruan ‘tapetin e kuq’ teorive konspirative kundër vaksinave

Ish-kandidati për deputet dhe botuesi Alfred Cako gjeti një audiencë duke shpërndarë teori konspirative për vaksinën e COVID-19 në mediat audiovizive, të cilat vrapuan ta kapitalizonin suksesin e tij pa marrë parasysh pasojat për shëndetin publik.

Intervista e Alfred Cakos mëngjesin e 18 marsit në televizionin ABC News fillon me një ton miqësor dhe të pafajshëm, ndërsa moderatori dhe gazetari Enkel Demi i drejtohet të ftuarit në studio me humor, duke e pyetur rreth lajmeve të qarkulluara në media se ai ishte infektuar me COVID-19.

Pasi e siguroi Demin se lajmet e publikuara ishin mashtrime dhe gënjeshtra dhe ai ishte me shëndet si ‘kokrra e mollës’, Cako shpërtheu në një ligjëratë për atë që e quajti ‘Agjenda 21’ për shpopullimin e botës, përpara se të kalonte në tema të tjera konspirative mbi miliarderin amerikan Bill Gates, ekspertin amerikan të sëmundjeve infektive, Anthony Fauci, efikasitetin e maskave dhe vaksinave kundër COVID-19 dhe mutacionet e koronavirusit të ri.

Përpara se intervista të mbyllej, Cako spekuloi se Anthony Fauci kishte qenë presidenti i parë i kompanisë farmaceutike Pfizer – që prodhon vaksinat kundër COVID-19, e cila sipas Cakos ishte krijuar nga miliarderi hebre Geroge Soros, i cili falë lidhjes së tij më familjen e bankierëve Rothschild, likuidoi një kompani me lidhje naziste në gjyqin e Nurembergut. Ndryshe nga Pfizer, sipas Cakos, kompania tjetër e vaksinave ‘Moderna’ kishte aksioner financierin dhe dhunuesin e dënuar seksual, Jeffrey Epstein.

“E di me kë ka qenë Fauci në dhomë në universitet? Ka qenë me Bill Gates-in dhe Fauci është me gjak shqiptar, apo s’e dini,” deklaroi Cako duke provokuar mosbesim te moderatori, i cili me sarkazëm e pyet se nga e ka origjinën në Shqipëri doktori i famshëm amerikan.

“Ato që them unë, nuk them asnjëherë gjëra të pakonfirmuara,” iu përgjigj Cako, përpara se të shtojë se Fauci “është djali i Nënë Terezës, ilegjitim.”

Teoritë konspirative dhe deklaratat që shpërndan Cako mbi virusin janë vërtetuar prej kohësh si të pavërteta dhe disa prej tyre – si pretendimi që murgesha katolike me origjinë shqiptare e shpallur shenjtore ka një fëmijë të paligjshëm, janë thjesht qesharake.

Megjithatë, intervista e hedhur në You Tube nga televizioni ABC News ka mbi 800 mijë shikime dhe 1500 komente, pjesa më e madhe me lavde ndaj deklaratave të konspiracionistit.

Pandemia e COVID-19 ka sjellë shpërthim të teorive konspirative rreth vaksinave në të gjithë botën, kryesisht nëpërmjet mediave sociale si Facebook dhe Youtube, të cilat janë akuzuar se nuk po bëjnë mjaftueshëm për të ndaluar dezinformimin e publikut dhe skepticizmin ndaj vaksinave.

Ndryshe në Shqipëri, konspiracionistë si Cako janë përqafuar nga mediat audiovizive kryesore në vend.

Intervista e Cakos në emisionin e mëngjesit është një nga dhjetëra shfaqjet e tij televizive që nga shpërthimi i pandemisë së COVID-19. Ai është i ftuar rregullisht të japë opinionin e tij të pakualifikuar në media dhe madje, televizioni kombëtar Top Channel e ka të kontraktuar si opinionist në emisionin Rrethi Katror.

Sipas të dhënave të analizuara nga BIRN nëpërmjet ‘Crowdtangle’ – një aplikacion i kompanisë Facebook, Cako është shfaqur në më shumë se 700 lajme ose video të postuara në Facebook nga mediat shqiptare me temë vaksinat e COVID-19. Videot kanë gjeneruar më shumë se 2.95 milionë shikime dhe postimet më shumë se 85 mijë ndërveprime në rrjetin social më popullor në vend.

Sipas ekspertëve të komunikimit, duke i dhënë një platformë Cakos dhe konspiracionistëve të ngjashëm, televizionet kanë treguar një nivel të ulët përgjegjshmërie dhe profesionalizmi si dhe kanë mundësuar shpërndarjen e teorive që mund të kenë një ndikim negativ të drejtpërdrejtë mbi shëndetin e popullatës. Madje, disa ekspertë i bëjnë thirrje Autoritetit të Mediave Audiovizive, AMA, të ndërhyjë për ta rregulluar situatën.

AMA nuk iu përgjigj një kërkese për koment nga BIRN nëse ishte e gatshme apo po merrte në konsideratë një hap të tillë. Ndërkohë, drejtuesit e mediave ku Cako është shfaqur theksuan se ai ishte ftuar si një zë alternativ në debatin publik rreth vaksinave dhe nuk përfaqësonte domosdoshmërisht linjën e tyre editoriale.

“Ne i japim hapësirë zërave ndryshe,” tha Eduard Manushi, drejtuesi emisionit Rrethi Katror në Top Channel, ku Cako është i ftuar si komentues çdo javë.

“Ai mban përgjegjësi personale për ato që thotë dhe nuk përfaqëson linjën editoriale të televizionit për vaksinat,” shtoi Manushi.

Ndërkohë, gazetari Enkel Demi i tha BIRN se intervista e tij me Cakon nuk duhet të nxirrjej jashtë kontekstit dhe kohës kur ishte realizuar. Ai theksoi se kishte pasur gjithashtu shumë ekspertë të mirënjohur në emision për të folur për të njëjtën temë.

“Unë nuk censuroj askënd dhe opinionet e të gjithëve duhet të dëgjohen,” tha Demi. “Intervista është bërë në një kontekst të caktuar dhe nuk përfaqëson qasjen time editoriale dhe kjo është e qartë edhe për shikuesit e mi,” shtoi Demi, i cili theksoi se edhe pse nuk binte dakord me pikëpamjet e Cakos, dera e emisionit do të ishte hapur për të gjithë.

Alfred Cako është 55 vjeç dhe ekonomist për nga shkollimi. Ai ka punuar më parë si revizor në Kontrollin e Lartë të Shtetit dhe ka drejtuar një shtëpi të vogël botuese, të fokusuar në botimin e librave konspirativë, të quajtur “Sekretet e Helgës”. Në vitin 2015, ai ka kandiduar për deputet në qarkun e Korçës për Partinë Fryma e Re Demokratike, por nuk ka marrë mjaftueshëm vota për t’u zgjedhur në Kuvend.

I kontaktuar nëpërmjet telefonit, Cako refuzoi një kërkesë për intervistë me BIRN mbi ndikimin e pikëpamjeve që ai shpërndante, duke theksuar se ‘ishte i zënë me punë’.

Që nga shpërthimi i pademisë në Shqipëri janë infektuar 157,026 pacientë me koronavirusin e ri dhe 2543 persona kanë humbur jetën.

Sipas Ministrisë së Shëndetësisë, prej fillimit të vaksinimit në janar 2021 janë kryer në total 1,579,402 doza të vaksinës ndaj COVID-19. Prej tyre, 693,421 qytetarë i kanë marrë të dy dozat e vaksinës antiCOVID.

Edhe pse ka sasi të disponueshme vaksinash në vend, shumë qytetarë shqiptarë mbeten hezitues dhe ekspertët fajësojnë teoritë konspirative që qarkullojnë në media si një prej faktorëve që kanë ndikuar në rritjen e mëdyshjes ndaj vaksinave.

“Sa i takon vaksinimit, nëse iu referohemi vendeve të Ballkanit Perëndimor, Shqipëria është një nga vendet me numrin më të ulët të të vaksinuarve në popullatë, duke lënë pas vende si Kosova dhe Bosnje Herzegovina, edhe pse ishte një nga vendet që siguroi me shpejt vaksinat,” tha Denisa Canameti, rekdaktore në publikimin e specializuar Propacientit.

“Numrat e të infektuarve po rriten dita ditës, sikurse edhe numri i atyre që po humbasin jetën për shkak të COVID-19, numri i të hospitalizuarve po rritet, për rrjedhojë situata po bëhet sërish serioze dhe po shkojmë drejt një vale të tretë, ashtu sikurse ishte paralajmëruar,” shtoi ajo.

Erlis Çela, profesor në degën e Komunikimit dhe Medias në Kolegjin Universitar Beder në Tiranë, shprehet se të shtyra nga interesa komerciale, mediat kryesore televizive po shfaqin një shkallë të lartë papërgjegjshmërie, duke u transformuar në platforma dezinformimi për teoritë konspirative kundër vaksinave.

“Rasti i Alfred Cakos është rasti më flagrant, kur një media e cila ka një licencë kombëtare ka hapur studiot në mëyrë të vazhdueshme, madje periodike, çdo javë do të thoja, një personazhi që në këndvështrimin tim, po bën shumë dëm në informacion,” tha Çela.

“Mënyra se si ai paraqitet në një studio të një televizioni publik, që në syrin e publikut ka një imazh të caktuar, pra është një televizion i madh, është një televizion me licensë kombëtare, ka një mbulim të konsiderueshëm në popullsi dhe territor, i jep atij një lloj kredibiliteti, një lloj besueshmërie në publik,” shtoi Çela.

Të dhënat e Facebook të analizuara nga BIRN nëpërmjet Crowdtangle tregojnë se nga mbi 49 mijë postime të bëra nga 89 media televizive, gazeta dhe portale deri në gusht 2021 mbi temën e vaksinës, më popullorja i përkiste një segmenti të emisionit ‘360 gradë’ në Ora News TV, ku Cako i ftuar për të dhënë opinionin e tij, bën një lidhje midis shoqërisë sekrete ‘Iluminati’, vaksinave dhe koronavirusit.

“Vaksina është projekt i Iluminati,” shprehet Cako, përpara se të shtojë se Bill Gates është djali illegjitim i miliarderit tjetër amerikan, David Rockfeller, ndërkohë që pretendon se Facebook është krijuar nga Iluminati dhe CIA. “Vaksina është një mikroçip 3 centimetra që do t’i ruajë të githë të dhënat tona në një kompjuter të shoqërisë Iluminati,” shton ai.

Që kur është postuar në faqen e Facebok të televizionit Ora News në 1 maj 2020, kjo video ka marrë më shumë se 477 mijë shikime dhe ka gjeneruar më shumë 6871 ndërveprime, ku përfshihen komentet, pëlqimet dhe ikonat ‘emoji’ që shprehin emocione.

Elvin Luku, lektor në departamentin e gazetarisë në Universitetin e Tiranës thekson se problemi nuk qëndron vetëm tek konspiracionistë si Cako, por edhe tek redaktorët dhe drejtuesit e mediave që i japin hapësirë televizive.

“Ai është një njeri i lirë që ka bindjet, opinionet e tij të njohura botërisht tashmë,” tha Luku. “Unë problemin në rastin konkret do e shihja te autorët dhe drejtuesit e programeve, të cilët janë në dijeni të bindjeve të tij dhe qëllimisht i krijojnë hapësirë televizive për të gjeneruar sa më shumë audiencë,” shtoi ai.

Kolegu i tij Erlis Çela bie dakord se motivimi i mediave që i japin hapësirë Cakos nuk është ideologjik; megjithatë, ai thekson se dëmi i shkaktuar nga teoritë konspirative që shpërndan Cako në media është i ndjeshëm në shtimin e hezitimit për t’u vaksinuar dhe AMA duhet të ndërmarrë hapa për ta adresuar këtë problem.

“Unë jam i habitur si nuk ka një reagim, më sa paku një paralajmërim,” tha ai. “Nga njëra anë kemi hapësirën që i jepet këtij personazhi dhe kjo ka pasoja, sidomos për fushatën e vaksinimit dhe nga ana tjetër kemi institucione publike që shpenzojnë paratë e publikut për fushata informimi me spote të kushtueshme,” shtoi Çela.

Për shkak se komentet e Cakos shpërndahen kryesisht gjatë emisioneve të formatit ‘talk-show” dhe jo gjatë edicioneve informative, Luku mendon se ndërhyrja e AMA-s ha debat.

“Nëse këto informacione do përhapeshin në mënyrë të vazhdueshme në edicionet informative, sigurisht që do të kish një shkelje të Kodit të Transmetimit, por në programet talk show të bisedave të lira, ku të ftuarit jo domosdoshmërisht kanë status eksperti, kjo gjë është shumë e diskutueshme,” tha ai.

“Megjithatë, unë jam i mendimit se në momentin kur këto teori konspirative kundër vaksinës bëhen në mënyrë konseguente, të vazhdueshme, çdo javë, në një televizion kombëtar, besoj se këtu ka vend për AMA-n që të ndërhyjë,” shtoi Luku.

Denisa Canameti e sheh si një qasje të papërgjegjshme hapësirën që i është dhënë në media teorive konspirative, edhe pse ka pak shpresa në reagimin e institucioneve.

“Fatkeqësisht mediat kombëtare, për arsye komerciale i kanë dhënë një hapësire shumë të madhe teorive konspirative, duke dëmtuar seriozisht të gjitha përpjekjet që institucionet shëndetësore apo edhe organizatat e pavarura po bëjnë për të edukuar dhe informuar qytetarët për vaksinat anticovid,” tha ajo.

“Sa më e madhe të jetë audienca, aq më shumë njerëz rrezikojnë të influencohen,” përfundoi ajo.
/Marrë nga Reporter.al