zoom

Stil

Të mërzitur prej shiut? Ka një shpjegim shkencor për të gjithën këtë

Shiu dhe mungesa e diellit mund të bëjnë që shumë njerëz të mos ndihen në formën e tyre më të mirë. Ata mund të përjetojnë ankth, depresion, mund të ndihen të pamotivuar dhe termi klinik për këtë gjendje është “Çrregullimi Afektiv Sezonal”, raporton “Psychology Today”.

“Është një gjendje që lidhet me nivelet më të ulëta të dritës, si dhe me ditët e tepërta me re”,- shpjegoi Debra K. Burton, e cila është një këshilltare profesioniste dhe një terapiste familjare e licencuar.

Kjo gjendje njihet ndryshe si depresion dimëror dhe zakonisht nis që në muajin tetor ose nëntor dhe mund të zgjasë deri në muajin prill. Në përgjithësi, shoqërohet me ditët kur kohëzgjatja e diellit është më e shkurtër.

“Ajo që mendojmë se ndodh është se ajo ndikon në nivelin tonë të serotoninës, që është një neuro-transmetues që ndikon tek depresioni, si dhe melatonina, niveli i së cilës rritet gjatë natës kur jemi në gjumë”,- tha Burton.

Ajo shtoi se nëse një person e ka përjetuar këtë gjendje gjatë dy viteve të fundit, atëherë ai duhet të shqetësohet dhe të bëjë një kontroll te mjeku përkatës. Depresioni dimëror shfaqet zakonisht te gratë dhe midis moshës 15 deri në 55 vjeç.