zoom

Politikë

Të gjithë te Meta. Nisin konsultimet për ditën e zgjedhjeve në 6 bashkitë pa kryetar

Presidenti i Republikës, Ilir Meta, ka nisur konsultimet me partitë politike për përcaktimin e datës së zgjedhjeve të pjesshme në 6 bashkitë e mbetura pa kryetar. Shkodra, Mallakastra e Vora i humbën kryebashkiakët socialistë për shkak të ligjit të dekriminalizimit. Valdrin Pjetri, Agim Kajmaku e Qerim Ismailaj kishin fshehur vepra penale e dënime të më parshme në Itali e Greqi.

Në foto: Agim Ismaili, Qerim Ismailaj, Valdrin Pjetri

Durrësi mbeti pa kryetar bashkie pasi Valbona Sako u dorëhoq për motive ende të paqarta në mesin e situatës së shkaktuar nga tërmeti.

Dibra mbeti pa kryetar Bashkie pasi Dionis Imeraj e la detyën për t’u zgjedhur deputet, por dështoi. Në Rrogozhinë Haxhi Memolla ndërroi jetë për shkaqe natyrale.

Në Presidencë do të jenë përfaqësues të Partive Politike parlamentare.

Presidenti Meta deklaroi pak ditë më parë se ishte gati të dekretonte zgjedhjet. Deri tani ai nuk e firmosi mbatjen e tyre, pasi kishte kundërshtuar me dekret zhvillimin e zgjedhjeve të 30 qershorit.

Çështja shkoi në Gjykatën Kushtetuese dhe ajo i konsideroi të ligjshme zgjedhjet, ndonëse opozita i bojkotoi ato.

Dekretimi i zgjedhjeve është kometuar si një goditje për Lulzim Bashën, për shkak të krizës së thellë që po kalon Partia Demokratike që pas përjashtimit të liderit të saj historik, Sali Berisha. E përçarë në dy kampe, PD rrezikon t’i humbasë të gjitha bashkitë, përfshirë edhe bastionin e saj historik, Shkodrën.

Meta ka pëjashtuar çdo lidhje të dekretimit të zgjedhjeve të pjesshme me situatën në PD, por analistët politikë thonë se sidoqoftë vendimi është një goditje për Bashën.

Partia Demokratike nuk është shprehur ende nëse do të jetë pjesë e garës, por me gjasë Basha, edhe pse në vështirësi nga përçarja e partisë, nuk do të përsërisë gabimin e bojkotit të 30 qershorit.

Në anën tjetër, vendimi i Metës vjen pak javë para se Gjykata Kushtetuese të shqyrtojë vendimin e Parlamentit për shkarkimin e tij dhe disa politikanë e lidhin dekretimin e zgjedhjeve në 6 bashki edhe me këtë çështje. /Zoom.al