zoom

Aktualitet

Të gjithë policët nën hetim, zv/ministri jo i sigurtë për të votuar PS-në

Në një situatë të tensionuar politike parazgjedhore, kur atmosfera është ngarkuar me akuza personale dhe kërcënime, paanësia e policëve ditën dhe besimi i tyre tek ligji do të jetë kyçe në ruajtjen e rendit dhe sigurisë publike ditën e zgjedhjeve. Por edhe policët kanë bindjet e tyre politike dhe Partia Socialiste me patronazhistët e saj është përpjekur të zhbirojë në preferencat politike të secilit.

 

Zv.ministri Besfort Lamallari është për momentin përfaqësuesi më i lartë politik në Ministrinë e Brendshme, pasi Bledi Çuçi u tërhoq përkohësisht nga detyra. Sipas Database të Partisë Socialiste vota e tij nuk është e sigurtë, megjithëse preferencë raportohet të jetë PS. Besfort Lamallari është raportuar nga një i afërm i tij, Adriatik Lamallari.

 
Ardi Veliu, Drejtori i Përgjithshëm i Policisë sipas skedës së Rilindjes nuk është votë e sigurtë për PS, por preferenca e tij është për Partinë Socialiste dhe në zgjedhjet e kaluara mund të ketë votuar PS, raporton patronazhisti Flamur Tabaku.

 Zv.drejtori i policisë së shtetit, Albert Dervishaj është më i qartë në bindjet e tij dhe siç raporton atronazhistja Fatbardha Dervishaj, ai mund të konsiderohet votë e blinduar për PS, me preference të caktuara për PS dhe në zgjedhjet e kaluara ka votuar për PS.

 

Më i kujdesshëm ka qenë patronazhisti i Tonin Vocajt, Drejtorit të Policisë Kriminale që nuk e ka shënuar emrin në raportimin e të dhënave për PS. Por për Vocajn është interesante të vihet re se sipas të dhënave të PS për vitin 2013 ai ishte votë e PD, ndërsa për këto zgjedhje konsiderohet se e ka kthyer dhe ka preferenca për PS.

Drejtori për Rendin dhe Sigurinë, Gjovalin Loka, një efektiv i vjetër që nga koha e komunizmit nuk mund të ishte ndryshe veçse një votë e sigurtë për PS dhe kështu është raportuar edhe në të dhënat e patronazhistes Sonilda Prifti që ka plotësuar skedën e tij. Gjovalin Loka rezulton se historikisht ka votuar Partinë Socialiste dhe edhe sot e kësaj dite ruan të njëjtat preferenca, të paktën sipas asaj që ka shkruar patronazhistja e tij.

 

E pazakontë është skeda e Rebani Jaupit, Drejtorit të Policisë së Tiranës. Si rrallë për ndonjë person tjetër të dhënat për të rezultojnë bosh. Nuk ka pasur patronazhist që ta marrë përsipër Jaupin dhe preferenca e tij nuk është shënuar në skedën e Partisë Socialiste, përveç faktit që në vitin 2013 Rebaniu ka votuar Partinë Socialiste.

Por në Database-n e Partisë Socialiste është raportuar më shumë se 1800 policë dhe punonjës të policisë së Tiranës, të paktën nëse i referohesh vendit të punës si Drejtoria e Policisë.