zoom

Politikë

Tabaku parashikon të ardhme të errët për fasonët: 75 familje rrezikojnë të dalin në rrugë!

Deputetja e Partisë Demokratike, Jorida Tabaku, përmes një statusi në rrjetin social ‘Facebook’ shprehet se largimi i investitorëve të huaj që lidhen me industrinë e fasoneve që është industria e dytë më e madhe eksportuese në Shqipëri me thuajse 30% të eksporteve tregon fatkeqësisht një të vërtetë të madhe, një vizion të gabuar.

Sipas demokrates, rreziku i industrisë fasone vjen jo sepse një ekonomi e fortë ka prodhuar një Lek të fuqishëm, por sepse një qeveri e korruptuar ka mbyllur sytë përballë pastrimit të parave në sektorin e ndërtimit që sot po depërtojnë edhe në turizëm edhe në lojërat e fatit.

Sot 75 000 familje mund të dalin në rrugë, thotë ajo, teksa thekson se platforma e qeverisë socialiste për biznesin kanë qenë taksat e larta që kanë penguar jo vetëm rritjen e fasonerisë por edhe rritjen e pagave, kjo pasi pagat nuk rriten me urdhrin e qeverisë, por sepse kërkesa dhe oferta përputhen.

Postimi i plotë i Tabakut:

“Kur një model ekonomik dështon dhe rrezikon 75 mijë familje!

Largimi i investitorëve të huaj që lidhen me indsutrinë e fasonëve që është industria e dytë më e madhe eksportuese në Shqipëri me thuajse 30% të eksporteve tregon fatkeqësisht një të vërtetë të madhe, një vision të gabuar.

I cili jo vetëm nuk ka shkëlqyer si model ekonomik që stimulon prodhimin, përthith investimet e huaja apo rrit mirëqënien por dhe po largon investimet e pakta.

Ka qenë ky vizion që ka zvogëluar dhe zhbërë industrinë e fasonëve që është në rrezik jo veç prej zhvlerësimit të euros por edhe politikave të gabuara fiskale dhe ekonomike. Se kush e quan këtë forcim të lekut si arritje e bën ose për arrogancë ose për dritëshkurtësi.

Rreziku i industrisë fasone vjen jo sepse një ekonomi e fortë ka prodhuar një Lek të fuqishëm, por sepse një qeveri e korruptuar ka mbyllur sytë përballë pastrimit të parave në sektorin e ndërtimit që sot po depërtojnë edhe në turizëm edhe në lojërat e fatit.

Në të kundërt, për t’iu përgjigjur shqetësimit të kompanive të fasonëve qeveria dështoi plotësisht të prodhojë qoftë edhe një masë të vetme në mbështetje të këtij sektori.

Që prej 2013 kur erdhi në pushtet kjo qeveri socialiste, platforma e saj për biznesin kanë qenë taksat e larta që kanë penguar jo vetëm rritjen e fasonerisë por edhe rritjen e pagave, kjo pasi pagat nuk rriten me urdhërin e qeverisë por sepse kërkesa dhe oferta përputhet. Sot 75 000 familje mund të dalin në rrugë.

Por kjo ngre dhe disa pyetje thelbësore për ekonominë tonë; Çfarë modeli po prodhojmë? A duhet sakrifikuar 75 mijë familje që ushqehen nga puna në fasoneri për eksperimentet sociale dhe ekonomike të pastrimit të parave? A po investojmë në arsim me idenë e një krahu pune të kualifikuar? Jo, dhe këtë e tregon jo veç buxheti dedikuar arsimit por dhe rezultatet e PISA në vite.

A po investojmë në bujqësi? Përsëri jo dhe këtë e tregon jo vetëm buxheti për bujqësinë por dhe fakti që ky sektor ka të paktën 6 tremujorë në rënie.

A po investojmë në teknologji informacioni, në tregun e krahut të kualifikuar të punës? A ka sot poliitka nxitje në këtë drejtim? A po ndërtojmë turizëm të qëndrueshëm që kontribuon në ekonomi që mbështet boneset e vogla familjare që ofrojnë më të mirën e më të bukërën e shqipërisë bashkë me traditën?

Sot Shqipëria fateqësisht nuk konkuron në asnjë nga sektorët që duhet të konkurojë. Ne nuk mund të kufizohemi duke numëruar numrin e turistëve.

Në të kundërt, duhet të prodhojmë dhe krijojmë një ekonomi që mbahet dhe është reziliente. Duhet të ofrojmë turizmin, bujqësinë, duhet të zgjerojmë tregun e të mbyllim hapësirën në të ardhura që kanë sot shqiptarët me këdo në rajon.

Por më tepër ne duhet të investojmë në të ardhmen. Duhet të ofrojmë atë që sot kërkon koha. Me një model të vjetër, të korruptuar e që fatkeqësiht mbahet nga paratë e pista Shqipëria do të betet gjithmonë në vagonin e fundit kur mund të jetë lokomotiva e rajonit!”. /ZOOM.AL/