zoom

Slider

Sylvinho, çfarë duhet të dini për trajnerin e ri të Shqipërisë! Opinion nga Drilon Xhepollari

NGA DRILON XHEPOLLARI

Sylvinho merr drejtimin e Shqipërisë me pak minuta në pankinë, por me një valixhe të madhe eksperience si futbollist, madje duke luajtur në nivelet më të larta në Europë.

Fakti që ka punuar me trajnerë të mëdhenj si Arsène Wenger, Pep Guardiola dhe Roberto Mancini janë një bonus i madh për të.

Pa harruar eksperiencat me Tite te Brazili apo Mancini-n tek Interi, megjithatë tani vendimet e rëndësishme Sylvinho duhet t’i marrë vetë. Është momenti të bëjë shefin.

Shqipëria është një trampolinë për Sylvinho-n dhe ndihmësat e tij. Një okazion që duhet shfrytëzuar, për të treguar veten në fushën e trajningut.

FSHF dëshiron kualifikimin në Europianin e Gjermanisë, ndërsa 48-vjeçari me stafin e tij që përbëhet nga argjentinasi Zabaleta dhe braziliani Dorival, lavdinë.

Entuziazmi ishte i madh në prezantim, por a do të mundet ai ta dërgojë Shqipërinë në majën e Europës?!

Eksperienca e tij e parë në Kontinentin e Vjetër si violinë e parë rezultoi dështim. Sylvinho u shkarkua nga Lyon pas vetëm 11 ndeshjesh, ndërsa arriti të grumbullojë vetëm 1.18 pikë për lojë.

FSHF i dha një mundësi të dytë, për të shfaqur vlerat si trajner dhe ai e kapi fort me të dyja duart, por ka pikëpyetje nëse ky partnership do të ketë sukses.

Pika e tij e fortë është këmba e majtë, por sot në konferencën e shtypit thonë se hyri me të djathtën, si duket është supersticioz…

Stili i tij i lojës do të jetë një përzierje mes francezit Wenger dhe spanjollit Guardiola, por në thelb ai kërkon shpirtin luftarak dhe disiplinën, diçka që ka munguar te kuqezinjtë kohët e fundit.

Moduli i preferuar është 4-2-3-1, por nuk e dimë nëse në fushë do të shohim samba apo tango, mbase dhe një gërshetim mes tyre.

Gjithsesi për të “kërcyer” si latinët duhet të kesh “kërcimtarët”. Shqipëria ka shumë kualitete, por a do të mundet Sylvinho t’i “kompozojë” të gjithë bashkë dhe të bëjë maestron?!

Koha do ta tregojë, por ajo tani është kundër tij. Polonia po pret te cepi, ndërsa dëmtimet janë një tjetër shqetësim… /zoom.al/

 

KARRIERA SI LOJTAR

1994–1999 Corinthians (177 ndeshje 1 gol)

1999–2001 Arsenal (55 ndeshje 3 gola)

2001–2004 Celta Vigo (84 ndeshje 1 gol)

2004–2009 Barcelona (89 ndeshje 2 gola)

2009–2010 Manchester City (10 ndeshje)

 

EKIPI PËRFAQËSUES

2000–2001 Brazil (6 ndeshje)

 

KARRIERA MENAXHERIALE

Lyon, 1 korrik 2019 – 7 tetor 2019

11 ndeshje, 1.18 për lojë

Corinthians, 28 maj 2021 – 3 shkurt 2022

43 ndeshje, 1.44 pikë për lojë

 

SKEMA E PREFERUAR

4-2-3-1