zoom

Lajme

Surprizë në EURO 2024, kombëtarja e Danimarkës refuzon rritjen e pagës: Njëlloj me ekipin e femrave

Ndodhi e veçantë në këtë Euro 2024. Skuadra daneze e futbollit për meshkuj refuzoi rritjen e pagave të propozuar nga Federata Daneze e Futbollit, me arsyetimin se kërkon të garantojë pagën bazë të futbollisteve femra që luajnë për kombëtaren, gjë që nuk ka ndodhur deri më tani.

Federata propozoi që të zvogëlohej buxheti për ekipin e meshkujve dhe të ndaheshin para për ekipin e femrave, por anëtarët e të dy ekipeve i thanë jo këtij propozimi, duke kërkuar një buxhet të veçantë për ekipin e femrave.

Kontrata e re mes sindikatës së lojtarëve dhe Federatës do të jetë 4-vjeçare dhe do të hyjë në fuqi pas përfundimit të Euros. Ndërkohë ekipi i meshkujve qëndron i palëkundur në qëndrimin se duhet të përmirësohen kushtet si për meshkujt ashtu edhe për femrat, pasi i ka paraqitur një strategji specifike ekipit negociator, i cili pritet ta shqyrtojë atë dhe të propozojë ndryshime në marrëveshjen ekzistuese.

Anëtarët e skuadrës së meshkujve kërkuan gjithashtu, nëpërmjet përfaqësuesit të tyre, që të blihet një godinë që mund të përdoret nga të gjitha ekipet kombëtare, e cila do të përmirësojë kushtet e tyre të stërvitjes dhe përgatitjes për ngjarje të mëdha.

Madje, ata propozuan financimin e pjesshëm të projektit, bashkë me Federatën, kur të kualifikohen në Botëror apo në Europian. Danimarka përballet sot me Anglinë. /ZOOM.AL/