zoom

Ide & Blog

Sulmojeni Bashën, por mos harroni Ramën

Një valë reagimesh shpërtheu pas një fotoje të Lulzim Bashës të publikuar nga bashkëshortja e tij, ku ai shfaqej në drejtimin e një makine pa vënë rripin e sigurimit.
Zyrtarë e idhtarë të Rilindjes shpërthyen me komente negative në rrjetet sociale për ta treguar Bashën si shkelës të ligjit.
Nga numri dy i qeverisë Erion Braçe, zëvendësministri i Brendshëm Ramallari, militantë e analistë që punojnë në mediat e kontrolluara nga pushteti, reaguan a thua se kishte shpërthyer për së dyti diga e liqenit Artificial dhe kryeqytetit po i kanosej katastrofa (shiko më poshtë në zoom.al).
Edhe kur ndjekës të tyre u shpjeguan se ligji ia dikton Bashës të mos mbajë rripin, për shkak të gjatësisë dhe vendosja e rripit konsiderohet e rrezikshme, Braçe me shokë e shoqe nuk u tërhoqën.
Asnjëri prej tyre nuk e fshiu komentin, duke provuar se kishin reaguar me logjikë, por me militantizëm e urrejtje ndaj një kundërshtari politik. Ndjesa publike, një detyrim kur një zyrtar thotë gënjeshtra, as që mund të imagjinohet në këtë rast.
Në këtë fushatë Lulzim Basha po provon të tregojë një anë tjetër të tij, atë të një familjari dhe një njeriu të thjeshtë, që gatuan, i lexon përalla vajzës së vogël apo drejton makinën teksa udhëton me familjen e tij.
Edhe pse mënyra që ka zgjedhur për këtë qëllim mund të jetë e kritikueshme, fushata e tij nuk ka ndonjë pasojë negative tek asnjëri nga qytetarët e këtij vendi.
Ata nuk do të zgjohen më të pasur apo më të varfër, vendi nuk do të jetë më shumë apo më pak i korruptuar, drejtësia nuk do të jetë më shumë apo më pak e kapur, tenderat e koncesionet nuk do të jenë më pak apo më shumë korruptivë, shëndetësia nuk do të jetë më në krizë apo më e përparuar, arsimi nuk do të çalojë më shumë apo më pak.
Por ajo që bie në sy në krahun tjetër është sulmi i përqendruar nga zyrat e shtetit dhe të Rilindjes apo nga prapaskena e saj, e cila i ngjan një kampi lufte ku ngrohen kazanët e ziftit që hidhet ndaj çdokujt që rrezikon pushtetin e Edi Ramës.
Ajo që bie në sy është kuja që kanë vënë për gjoja shkeljen e ligjit.
Por a janë kaq të ndjeshëm këta zyrtarë e rilindas ndaj ligjit?
A keni parë ndonjë prej tyrë të hedhë ndonjë rresht për skandalin 18 milionë eurosh të nënkalimit në sheshin Shqiponja? Po për koncesionet e Ilir Beqes në shëndetësi? Po për skandalin e makinës luksoze të ish –ministrit të Brendshëm, Sandër Lleshaj?
A është shumë t’i kërkosh zëvendësministrit Braçe ta mbushë facebook-un e tij me kërkesa për llogari ndaj zyrtarëve që janë të përfshirë o nga dëshira, o nga paaftësia, o nga zelli për t’u bindur ndaj vendimeve që merr Rilindja në mega-afera korruptive?
Është normale që fushta e Lulzim Bashës të jetë në lupën e kundështarëve të tij. Talljet dhe ironitë janë të legjitimuara për aq kohë sa janë në vazhdën e këndvështrimeve.
Ndërsa në emër të ligjit, duhet çjerrë fyti e duhen thyer gishtat në tastierë si për Bashën ashtu edhe për Ramën, si për PS ashtu edhe për PS, pa dallime. Gjithçka tjetër është propagandë e dëmshme, aq më tepër kur vjen nga zyrat e shtetit. Sepse më shumë se rripi i Bashës, shqetësim për vendin janë rripat e vënë në zyrat shtetërore për të mbajtur në këmbë pantallonat që po i bien një pushteti të konsumuar nga skandalet e korrupsionit. ©Zoom.al