zoom

Aktualitet

“Sulmi lidhet me detyrën”! Tritol në makinë, zbardhet dëshmia e prokurorit Arjan Muça

Një shpërthim me tritol i vendosur në makinën e prokurorit Arjan Muça tronditi Tiranën mbrëmjen e së enjtes në zonën e Komunës së Parisit në Tiranë. Nga lënda plasëse vendosur në mjetin e prokurorit Arjan Muça, që ishte i parkuar në një qendër tregtare, fatmirësisht nuk pati të lënduar. Ndërkohë që pas ngjarjes, Policia e Tiranës ka marrë në pyetje prokurorin, familja e të cilit pas ngjarjes është marrë në mbrojtje.

Ai ka thënë se mjetin “Benz” me targë AA102ET e ka në pronësi të tij dhe prej me shumë se 2 vitesh e parkon në katin e 2-të të nëndheshëm në qendrën tregtare të Komunës së Parisit. Prokurori 50-vjeçar është shprehur se nuk ka asnjë konflikt dhe se ky sulm lidhet vetëm me detyrën e tij si prokuror pranë Këshillit të Lartë të Prokurorisë.

Nisur nga deklarimet e tij, policia e ka referuar çështjen për shkak të detyres dhe po heton në ketë drejtim.

Arjan Muça është i komanduar në Këshillin e Lartë të Prokurorisë si inspektor. Ndërsa më herët ka qenë oficer tek ish Prokuroria e Krimeve të Rënda dhe ish prokuror në Gjirokastër. Ndërkohë bashkëshortja e tij, Gentiana Muça është gjyqtare në Apelin Administrativ, ndaj një dyshim është se shpërthimi mund të ketë qenë edhe ndaj saj.

Drejtori i Policisë së Tiranës, Rebani Jaupaj U tha gazetarëve se mjeti ka dëmtime në pjesën e përparme. Makina përdoret nga prokurori dhe aktualisht prej një periudhë dyvjeçare parkohet pranë kësaj qendre tregtare.

“Janë marrë masa nga policia për dokumentimin e kësaj vepre penale. Nuk ka të lënduar dhe dëmtime të mjeteve të tjera. Shpërthimi ka ndodhur në pjesën e parakolpit të makinës. Nuk ka pasur asnjë person afër dhe grupi hetimor po merret me pamjet dhe veprimet hetimore”, tha Drejtori i Policisë së Tiranës, Rebani Jaupaj.

Ndërkohë shërbimet e Policisë ushtruan kontrolle ne zonë si dhe u ngritën pika kontrolli në Tiranë, ndërkohë që hetimit pritet ta ndihmojnë pamjet e kamerave të sigurisë në garazhin e qendrës tregtare dhe rreth saj.