zoom

Sport

Stadumi i Kastriotit, kullotë për kuajt (Video)

Nuk janë pamje që vijnë nga kullotat e Krujës por nga stadiumi i këtij qyteti, pamje trishtuese që nuk kanë nevojë për koment. Dikur tifozët krutan kishin arsye për tu krenuar, pozicioni i stadiumit të tyre bënte jone edhe në faqen zyrtare të FIFA-s, sot këtë impiant e kanë pushtuar kuajt e bagëtitë.

Brenda një harku kohorë shumë të shkurtër stadiumi i qytetit ka dalë totalisht jashtë funksioni, për futboll as që bëhet fjalë, thjeshtë është shndërruar në një gërmadhë. Tifozët dhe qytetarët e Krujës bëjnë thirrje që instancat përkatëse të vejnë dorë për të mos dëmtuar imazhin e qytetit dhe mbi të gjitha të kthej stadiumin në gjendje funksionale ku mund të luaj ekipi i parë por dhe të stërviten ekipet e moshave:

Ekipi i Kastriotit u rikthye në elitë por në pamundësi të një stadiumi që nuk plotëson asnjë kriter janë të detyruar që ndeshjet t’i zhvillojnë në stadiumin e Kamzës.

Në fakt, stadiumi ishte pjesë e një projekti që parashikonte një investim të përbashkët nga Bashkia dhe FSHF por tërmeti i 26 nëntorit dhe kriza që ka sjell Covid-19 e bën të pamundur investimin nga ana e Bashkisë.

Drin Masha, përfaqësues i Bashkisë Krujë shprehet për “News24” dhe “BalkanWeb” se projekti për rikonstruksion e stadiumin qëndron në fuqi por për momentin nuk është prioritet. Në këtë fillim sezoni stadiumet janë kthyer në makth për FSHF dhe vetë klubet të cilët janë të detyruar të gjejnë zgjidhje alternative, në një kohë kur katër nga 10 ekipet pjesëmarrëse nuk kanë në dispozicion një stadium fiks.

Marrë nga BalkanWeb