zoom

Aktualitet

SPAK kundër vendimit të Gjykatës për Fatmir Mediun: Do ta ankimojmë!

Vendimi i dhënë nga gjyqtari, Erjon Çela për të mos hetuar ish-ministrin Fatmir Mediu pritet të kontestohet nga vetë SPAK-u.

Ka qenë vetë Prokuroria e Posaçme, e cila ka bërë ditur se do ta ankimojë vendimin e dhënë në shkallën e dytë, pra në gjykatën e Apelit për të mos hetuar ish-ministrin Mediu për çështjen “Gërdeci”.

SPAK do të ankimojë vendimin e sotëm të GJKKO-së, duke e konsideruar atë si të pabazuar në ligj. Gjykata e Posaçme kundër Krimit dhe Korrupsionit rrëzoi sot kërkesën e SPAK për rihapjen e hetimit ndaj ish-ministrit të Mbrojtjes, Fatmir Mediu, i akuzuar si një ndër përgjegjësit e tragjedisë së Gërdecit.

Pas shqyrtimit të kërkesës së SPAK, gjyqtari Erjon Çela vendosi që të rrëzonte Prokurorinë e Posaçme, duke mos i hapur rrugë rihetimit të ish-ministrit për një nga dosjet më të bujshme.

Sipas vendimit të GJKKO prokuroria ka pasur të gjitha mundësitë që ta hetonte lirisht Fatmir Mediun pasi ai që prej vitit 2012 nuk ka pasur imunitet për tu hetuar dhe vepra është parashkruar.

“Nga sa u pasqyrua më sipër, Gjykata çmon që të evidentojë se edhe pse Kolegji Penal i Gjykatës së Lartë në të dy vendimet e tij ka theksuar se të drejtën për të kërkuar autorizimin për procedim sipas ligjit e ka vetëm prokurori,nga tërësia e akteve procedurale dhe e provave që ndodhen në dosjen gjyqësore konstatohet se që prej datës 14.09.2009 (data e shpalljes së vendimit të pushimit nga Gjykata e Lartë) e në vazhdim, organi i akuzës nuk i kërkoi përsëri Kuvendit të Republikës së Shqipërisë dhënien e autorizimit për fillimin e ndjekjes penale ndaj ish – deputetit Fatmir Mediu, mungesa e të cilit nuk lejonte vazhdimin e procedimit penal. Gjithashtu, Gjykata çmon që të evidentojë se edhe pse kuadri kushtetues dhe ligjor përcakton se deputeti nuk gëzon imunitet parlamentar për ndjekjen penale apo gjykimin e tij konstatohet se që prej vitit 2012 e në vazhdim (më shumë se 8 vjet), organi i akuzës nuk ndërmori hapat e nevojshëm sipas ligjit për ushtrimin e ndjekjes penale megjithëse tashmë nuk ishte më e nevojshme që të kërkohej të jepej autorizimi nga Kuvendi i Republikës së Shqipërisë. Pra, nga vitit 2012 deri më datë 1 Gusht 2017 kur hynë në fuqi ndryshimet e K.Pr.Penale me Ligjin Nr. 35/2017, prokuroria nuk ka pasur asnjë pengesë që të rimerte të pandehur shtetasin Fatmir Mediu pa kërkuar autorizim për ndjekje penale apo të kërkonte rishikim të vendimit”, thuhet në vendimin e GJKKO.

Pra për këtë gjyqtar vepra për të cilën kërkohet të gjykohet ish-ministri Mediu është e parashkruar, pasi kanë kaluar mbi 10 vjet.

Feruzan Durdaj dhe Zamira Durdaj, prindërit e 7 vjeçarit Erison Durdaj që humbi jetën tragjikisht nga shpërthimi i Gërdecit në pranverën e 2008-ës, i janë drejtuar me një letër zyrtarisht Gjykatës së Posaçme, ku i kërkonin pranimin e kërkesës së SPAK për nisjen e hetimeve ndaj Mediut.

Në letrën drejtuar GJKKO, familja Durdaj shprehet se dosja përmban shumë fakte që mund të cilësohen jo vetëm si shpërdorim detyre dhe që i hapin rrugë gjykimit.

Ata i ‘rikujtojnë’ Gjykatës së Posaçme se një shtet i së drejtës është ai që nuk pengon gjykimin e çdo zyrtari dhe se ky është funksioni pse u bë edhe Reforma në Drejtësi.

Kujtojmë se në shkurt të këtij viti, Feruzan Durdaj dhe Zamira Durdaj, iu drejtuan organeve të drejtësisë së re për të rifilluar ndjekjen penale ndaj Fatmir Mediut, ish Ministër i Mbrojtjes. Nga shpërthimi i fuqishëm i 15 marsit të 2008 rreth orës 12:05 humbën jetën 26 persona, mes tyre dhe djali i familjes Durdaj, e ndërsa u plagosën mbi 300 të tjerë.