Aplikacion
Një ditë më parë Prokuroria arrestoi tre persona të dyshuar se kanë shitur në Shqipëri mandarinat që BE-ja i ktheu pas nga prezenca e disa kimikateve kancerogjen. Autoriteti Kombëtar i Ushqimit ka mohuar një gjë të tillë, por nuk ka ofruar provat se manderinat e helmuara janë asgjesuar. Prokuroria e Beratit informoi se ka dyshime se në treg janë hedhur mbi 21.000 kg mandarina me pesticide, të cilat pasi u kthyen nga Kroacia nuk u asgjësuan por janë blerë nga fermerët e qarkut Berat dhe Sarandë.
Ky autoritet duhet të hetohet nga SPAK, thotë anëtari i Kryesisë së PD-së, Grigels Muçollari në një deklaratë për mediat.
“Prokuroria e Beratit tani po heton pasi dyshohet se ato mandarina, tregtari i ka rifutur në dyqanet tona dhe se janë konsumuar nga ne qytetarët. Kjo nuk është historia e 3 ose 4 keqbërësve që për ca miliona më shumë shkelin ligjin dhe janë gati të vënë në rrezik shëndetin dhe jetën tonë. Kjo është historia e përsëritur e një krimi shtetëror që ka për autor AKU-në, Ministrinë e Bujqësisë dhe strukturat e tjera përgjegjëse. Qytetarët paguajnë taksa dhe mbajnë Agjencinë Kombëtare të Ushqimit dhe zyra të tjera për t’i mbrojtur”, u shpreh Muçollari.
Qeveria ka dështuar të ofrojë siguri ushqimore. Edi Rama e sheh AKU si një drejtori për të shpërblyer patronazhistët e tij në drejtësi, siç ishte dhe emërimi i fundit, akuzoi Muçollari.