zoom

Aktualitet

Skandali me ilaçet e kancerit te Onkologjiku, Gjykata jep 8 masa arresti ndaj mjekëve (EMRAT)

Skandali me ilaçet e kancerit te Onkologjiku, ka bërë që Prokuroria të hetojë për aktivitet të paligjshëm me medikamentet e kimioterapisë nga ana e bluzave të bardha, e t’i marrë nën akuzë, duke kërkuar masa sigurie.

Mësohet se Gjykata e Tiranës ka caktuar pas kërkesës paraprake, 8 masa ‘arrest shtëpie’ dhe ‘detyrim paraqitjeje’, për mjekë dhe punonjës të Spitalit Onkologjik në QSUT. Ata drejtonin pacientët drejt klinikave apo farmacive private për të siguruar medikamentet e sëmundjes së rëndë për kimioterapi, pasi në depot e QSUT ato mungonin.

Bëhet fjalë për një hetim të Prokurorisë së Tiranës që ka arritur te zbulojë një skemë se si mjekë të spitalit të Onkologjikut shisnin ilaçe të spitalit tek subjektet private. Konfirmohet se u sekuestrua një klinikë dhe sekuestruan 10 mijë euro ilaçe kontrabandë.

Gjashtë nga të akuzuarit janë: Edmond Gashi, Emiljano Lela, Alketa Ymeri (Pere), Brikena Qirjazi, Halil Gashi, Florian Marku.

Njoftimi i plotë i Policisë:

“Seksioni për Hetimin e Krimit Ekonomik e Financiar, në bashkëpunim me Sektorin e Forcës së Posaçme për Operacionet Speciale dhe Kërkimin në DVP Tiranë, në drejtimin e Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor të Juridiksionit të Përgjithshëm Tiranë, pas një pune të mirëfilltë hetimore disamujore, në kuadër të një procedimi penal të vitit 2023, ka finalizuar operacionin policor “Kobalti”.

Në kuadër të tij u ekzekutuan masat e sigurisë:

– “Arrest në shtëpi” për shtetasin E. G., 44 vjeç, banues në Tiranë, për veprën penale “Shperdorimi i detyrës”;

– “Arrest në shtëpi” për shtetasin F. M., 42 vjeç, banues në Tiranë, për veprat penale “Tregtimi dhe transportimi i mallrave që janë kontrabandë” dhe “Ruajtja ose depozitimi i mallrave që janë kontrabandë”;

– “Detyrimi për tu paraqitur në Policinë Gjyqësore”, për shtetasin E. L., 36 vjeç, banues në Tiranë, për veprën penale “Shpërdorimi i detyrës”;

– Detyrimi për tu paraqitur në Policinë Gjyqësore”, për shtetasen A. Y. (P)., 53 vjeçe, banuese në Tiranë, për veprën penale “Shpërdorimi i detyrës”;

– “Detyrimi për tu paraqitur në Policinë Gjyqësore”, për shtetasen B. Q., 52 vjeçe, banuese në Tiranë, për veprën penale “Shpërdorimi i detyrës”;

– “Detyrimi për tu paraqitur në Policinë Gjyqësore”, për shtetasin H. G., banues në Tiranë, për veprën penale “Fshehja e të ardhurave”;

– Për shtetasen D. K., për të cilën është vendosur masa e sigurisë “Detyrimi për tu paraqitur në Policinë Gjyqësore”, nuk është bërë ekzekutimi i vendimit penal pasi rezulton jashtë RSh-së.

Këta shtetas kanë qënë të punësuar në spitalin shtetëror “Nënë Tereza”, duke shpërdoruar detyrën, nuk jepnin shërbimin e duhur në spitalin shtetëror, por i orientonin pacientët në spitale private për të marrë shërbimet që kërkonin. Gjithashtu në spitalin “Nënë Tereza” ka qenë i vendosur dhe burimi i kobaltit që shërbente për radioterapinë por nuk vendosej në punë dhe ishte jashtë kushteve të përdorshmërisë duke u kthyer në një burim rreziku për pacientët. Gjatë hetimit është bërë i mundur që ky burim të zhvendosej dhe të vendoset në vendin e përcaktuar.

Në kuadër të këtij procedimi është ushtruar kontroll në disa subjekte farmaceutike ku janë sekuestruar një sasi e konsiderueshme mallra të dyshuara kontrabandë dhe të falsifikuara, shuma 10 000 euro, si dhe një klinikë mjekësore. Materialet i kaluan Prokurorisë”. /ZOOM.AL/