zoom

Slider

Si u kap shqiptari që furnizoi me armë terroristin për sulmin në Francë

Policia shqiptare ka dhënë detaje të reja mbi arrestimin e shqiptarit Endri Blliku (Elezi) në Itali, i cili ishte në kërkim si bashkautor në masakrën e Nicës në Francë 5 vite më parë, ku u vranë 86 persona dhe shumë të tjerë mbetën të plagosur nga sulmi terrorist me kamion.

Policia shqiptare thekson se operacioni i koduar “Promenade”, u finalizua me pjesëmarrjen e Antiterrorit dhe Interpolit të Policisë së Shtetit, Policisë italiane dhe asaj franceze. Shqiptari ishte i fshehur në Caserta, Itali.

29 vjeçari ishte shpallur në kërkim ndërkombëtar nga autoritetet franceze si bashkautor i sulmit terrorist të ndodhur në datën 14.07.2016, në bulevardin “Promenade des Anglais”, Nice, Francë, ku një person i identifikuar si Mohamed Lahouaiej Bouhlel, duke ngarë një kamion 19-tonësh, e ka drejtuar atë përmes turmës së njerëzve që po ecnin rrugës së bulevardit ku po zhvilloheshin festimet e pavarësisë së Francës, duke shkaktuar vdekjen e 86 personave dhe plagosjen e dhjetëra të tjerëve.

Gjatë kontrollit në kamion u gjetën armë dhe municione. Policia shqiptare thotë se Endri Elezi dyshohet si personi që ka furnizuar me armë autorin e sulmit. Për t’i shpëtuar arrestimit shqiptari e ndryshoi tre herë emrin.

“Pas një pune disamujore, falë shkëmbimit të shpejtë të informacionit duke koordinuar punën mes Policisë shqiptare, franceze dhe atë italiane, u bë i mundur lokalizimi dhe më pas arrestimi i këtij shtetasi, në Caserta, Itali. Endri Blliku, me qëllim fshehjen dhe shmangien nga kapja, ka ndryshuar disa herë gjeneralitetet e tij nga Endri Elezi në Juxhino Elezi, Xhino Elezi dhe përfundimisht në Endri Blliku.

Endri Blliku (Elezi), i akuzuar nga autoritetet franceze për “Pjesëmarrje në grup kriminal, “Mbajtja pa leje e armëve dhe municioneve”, “Mbajtja pa leje e materialeve ushtarake”, aktualisht i arrestuar në Itali, është në pritje të procedurave të ekstradimit drejt Francës” deklaron policia shqiptare.