zoom

Aktualitet

Si u ekzekutua ish-deputeti duke blerë cigare, autori e mbante pistoletën në qese

Të tjera detaje kanë dalë në dritë për vrasjen e ish-deputetit Pashko Ujka në Shkodër.

Mësohet se ai ka qenë duke blerë një paketë cigare në momentin kur është qëlluar me një plumb, që ka rezultuar fatal për të. Në momentin që është qëlluar, pranë tij ka qenë bashkëshortja, e cila ka deklaruar se ka dëgjuar vetëm një zhurmë të mbytur e më pas ka vënë re se Ujka ka rënë në tokë.

Nga pamjet e siguruara prej bizneseve në zonën pranë shatërvanit dhe lulishtes së Shkodrës ku edhe ndodhi ngjarja, vërehet se autori e ka mbështjellë armën me një qese. Kjo shpjegon se përse nuk është gjetur gëzhoja.

Shkak për ngjarjen duket se është bërë një apartament, për të cilin pretendohet se është paguar një shumë prej 20 mijë eurosh.

Para policisë Kristjan Kelemendi, personi i arrestuar për vrasjen, ka treguar në polici se familja e tij i ka paguar 20.000 euro Pashko Ujkës për marrjen prej tij të një banese në Shkodër.

Çfarë thuhet në dosjen hetimore?

“Personi që ka qëlluar është trup i mbushur, që sipas policisë, ngjason me trupin e Marjan Kolës ose Aleksandër Kelmendit. Autori shfaqet me kapele të zezë me strehë në kokë, me kapuç pas qafe, në dukje doreza në duar. Duket që për një moment rregullon kapelen e kapuçin dhe mban kokën ulur, ndërsa ec me hapa të vegjël por të vendosur e të shpejtë. …në dorë, ka një qese të bardhë, e cila mbulon diçka brenda saj, dhe që dyshohet se mund të jetë arma, pasi në vendngjarje nuk është gjendur asnjë gëzhojë…”