zoom

Stil

Si t’i thuash dikujt që nuk ke asnjë interes romantik, në mënyrën më të mirë të mundshme

Duhet thënë se të refuzosh dikë nuk është aspak argëtuese – për të mos përmendur që mund të jetë e sikletshme, e pakëndshme dhe e dhimbshme. “Është e rëndësishme t’i refuzosh njerëzit me dashamirësi, në mënyrë që ata të mos e marrin refuzimin personal, sepse me të vërtetë, nuk ka të bëjë me ta,” thotë për Women’s Health Bianca Walker, një këshilltare profesionale. Sigurisht, disa gjëra mund të mos ju pëlqejnë në lidhje me personin tjetër, por kjo zakonisht do të thotë se nuk përputheni, jo se personi tjetër është një përbindësh.

Megjithatë, kur bëhet fjalë për mënyrën se si t’i tregoni dikujt që nuk jeni të interesuar për të pasur diçka më shumë se shoqëri, gjetja e fjalëve të duhura për ta përcjellë mesazhin qartë mund të jetë e ndërlikuar. Pra, ç’duhet bërë?

Një komplimet: “Të gjithë njerëzit ndihen të respektuar kur ne i vlerësojmë ata,” thotë Cheryl M. Bradshaw, një psikoterapiste. Sipas saj, mund të përdorni fjali të tipit: “Të vlerësoj shumë dhe për momentin është e vështirë ta vendos veten në vendin tënd, por nuk jam i/e interesuar.”

Kini parasysh një paralajmërim të rëndësishëm: Nëse personi tjetër ju flet me mungesë respekti ose përpiqet t’ju ndryshojë mendjen, duhet të ndryshoni strategjinë. Duhet të jeni të vendosur.

Mos kërkoni falje: Nuk është e nevojshme që të kërkoni falje. Nuk keni pse. Thjesht tregohuni të drejtpërdrejtë dhe të sjellshëm. Mund të përdorni diçka si, “Unë e vlerësoj vërtet interesin dhe çiltërsinë tënde, por nuk jam në gjendje të ta kthej. E di që mund të jetë e vështirë për ta dëgjuar, por nuk jam i/e interesuar për të vazhduar më tej.”

Përqendrohuni te nevojat tuaja: Kur refuzoni dikë, është e rëndësishme që ta artikuloni qartë dhe në mënyrë të sjellshme arsyen e refuzimit. “Jam i/e sigurt që je i/e mrekullueshme në shumë mënyra, por në këtë pikë të jetës sime e kam të qartë se çfarë dua dhe nuk mendoj se ne do të ishim një çift që do të përmbushnim njëri-tjetrin” është një arsye e mirë dhe e sjellshme për t’u thënë.

Mos i zvarrisni gjërat: Nuk ka kuptim që t’i zvarrisni gjërat. Mjafton të tregoheni të sinqertë dhe me takt.

Vlerësoni shoqërinë: Nëse bëhet fjalë për një raport shoqëror të mëparshëm, nuk është e lehtë. Nëse ky person nuk dëshiron që të humbni marrëdhënien si miq, atëherë mund t’i tregoni se e vlerësoni raportin që keni dhe do t’i jepni hapësirën që ka nevojë. Për shembull: “Besoj se e di sa shumë e vlerësoj marrëdhënien që kemi. E di që nuk është e lehtë që të tregosh për ndjenjat dhe të admiroj për kurajën. Nuk dua të të lëndoj, por për fat të keq nuk ndihem njësoj si ti. E kuptoj që mund të ndihesh keq dhe kjo mund ta bëjë marrëdhënien tonë të vështirë për momentin. Merr të gjithë kohën që të nevojitet dhe kur të jesh gati, shpresoj që të mbetemi ende miq.”