zoom

In Zoom

Si po e mbron Rama deri në fund Olta Xhaçkën dhe investimin strategjik të Artan Gaçit në Dhërmi

Mëngjesin e të shtunës së 23 marsit Jorgo Goro e pa veten në burg. Kryetari në detyrë i Bashkisë së Himarës u arrestua nga SPAK se i kishte dhënë tokë shtetërore në shkelje të ligjit një individi, i cili më pas ia kishte shitur një investitori strategjik.

SPAK e zbuloi shkeljen pas denoncimit të Fredi Belerit, i cili do të zëvendësonte Goron në këtë detyrë, por mbahet në burg, i dënuar me 2 vjet për blere votash.

Kur prokurorët e posaçëm dhe agjentët e BKH po kontrollonin dokumentacionin, ata kuptuan se toka ishte tjetërsuas me qëllim që t’i shkonte investitorit strategjik. Ai ishte Artan Gaçi, bashkëshorti i ish -ministres së Mbrojtjes, Olta Xhaçka, i njohur edhe si “Tani i Firences”.

Dosja e SPAK flet për 5 512 m2 tokë në Dhërmi, në një prej plazheve më të bukur të jugut, ku Gaçi po ndërton një resort turistik.

Stavri Mëhilli e përfiton këtë tokë bujqësore, pronë e shtetit, në vitin 2019. Më 18 mars të atij viti, Jorgo Goro i kërkon Kadastrës së Vlorës që ta regjistrojë pronën, pa pasur një konfirmim nga Këshilli i Qarkut, një akt i domosdoshëm ky. Por në shkresën e Bashkisë së Himarës, me nr protokolli 173, të përcjellë nga Goro, thuhet se konfirmimi nga këshilli i qarkut ndodhet bashkëlidhur. Në të vërtetë ai nuk ekzistonte.

“Referuar Këshillit të Qarkut Vlorë, që ka dhënë informacione mbi çeshtjen, rezulton se kalimi i prones është bërë përmes shkresave dhe dokumenteve te rreme” – thuhet në dosjen e SPAK.

Thuajse 1 vit më vonë, më 19 shkurt 2020, Kadastra e Vlorës e regjistron sipërfaqen e ndodhur në fshatin Gjilek në emër të Foto Pavllo Mëhillit (trashëgimtarët). Kërkesa ishte bërë nga Stavri Mëhilli.

Stavri Mëhilli ka aplikuar në datë 12.02.2020, ora 12:48, për shërbimet “Lëshim vërtetimi pronësie”, dhe vetëm pesë ditë më pas, datë 17.02.2020, është pajisur me certifikatën përkatëse të pronësisë – siç rezulton nga dosja e SPAK që disponon Zoom.al

10 ditë më pas, më 27 shkurt, në llogarinë e Stavri Mëhillit kanë kaluar  12,677,600 leke nga shoqëria “AGTTC Hotel Management” e Argan Gaçit.

“Nga të dhënat e siguruara rezulton që Stavro Mëhilli e ka shitur 12,677,600 lekë sipas kontratës nga të cilat kësti i parë në vlerën 3.000.000 lekë është likuiduar në datë 25.07.2019, nëpërmjet  një transaksioni bankar dhe kësti i dytë në vlerën 9.677.600 lekë është  likuiduar në datë 25.02.2020. Aktualisht prona figuron e regjistruar ne emër/pronësi të shoqërisë “AG. TÇ” shpk.

Skenari është i qartë – thonë prokurorët e SPAK: regjistrimi i sipërfaqes së tokës truall prei 5512 m2, pronës me dokumenta flase, ka qenë me qëllim shitjen e saj tek Artan Gaçi.

Por Jorgo Goro, kur është pyetur nga SPAK, ka thënë se ka vepruar vetëm për të zgjidhur një konflikt mes banorëve.

Më 6 tetor 2023 SPAK mori në pyetje ish -deputetin socialist, Artan Gaçi për këtë çështje. Ai u thirr një ditë mas marrjes në pyetje të Jorgo Goros, pasi në kallëzimin e Fredi Belerit edhe ai akuzohej bashkëpunëtor në skemën e falsifikimit. Beleri shkruan në kallëzimin e tij se gjithçka ishte bërë nën dirigjimin e Gaçit, i cili mori statusin e investitorit strategjik. Në të njëjtin përfudim ka arritur edhe hetimi i SPAK, por prokurorët nuk kanë ngritur akuza ndaj bashkëshortit t ëish -ministres Xhaçka.

Shkon në SPAK ish deputeti Artan Gaçi, bashkëshorti i deputetes socialiste Olta Xhaçka

Edhe deputetja Xhaçka, ish -ministre e mbrojtjes e më pas e punëve të jashtme, është kallëzuar se me mosveprimet e saj, duke mosdeklaruar konfliktin e interesit, ka përfituar si bashkëshorte e investitorit të drejta pasurore dhe përfitime të paligjshme, ka përfituar të drejtën e përdorimit falas të pasurive shtetërore për të cilën shtetas të zakonshëm paguajnë detyrimet tatimore, që sipas ligjeve nuk i takojnë, aq më tepër që investimi strategjik ëhstë bërë mbi një pronë me dokumente false.

Olta Xhaçka, sipas opozitës, ishte e pranishme në mbledhjen kur qeveria vendosi t’i japë statusin e investitorit strategjik bashkëshortit të saj.

Opozita i kërkoi Parlamentit ta shkarkojë. Socialistët refuzuan dhe demokratët iu drejtuan Gjykatës Kushtetuese.

Kushetuesja u dha të drejtë, por mazhoranca socialiste e drejtuar nga Edi Rama vazhdon të refuzojë zbatimin e vendimit të kësaj Gjykate, duke shënuar një akt të paprecedent.

Në shkurt të këtij viti (2024) kryetarja e Gjykatës Kushtetuese, Hota Zaçaj, bëri këtë deklaratë për rastin:

“Të vësh në pikëpyetje zbatimin e vendimeve të Gjykatës Kushtetuese, është e paimagjinueshme në një shtet ligjor. Duke patur formën e ligjit dhe duke mos patur asnjë ekuivok për të mos u zbatuar, gjykata Kushtetuese nuk ka mekanizma për të kontrolluar zbatueshmërinë e vendimeve”.

Por përse Edi Rama po bën të paimagjinueshmen për të mbrojtur dyshen Xhaçka – Gaçi?

No photo description available.

Kur u pyet për çështjen që çoi në burg Jorgo Goron, në një intervistë të parapërgatitur nga Kathimerini, Rama dha thuajse të njëjtën përgjigjje që dha Goro në SPAK.

Gazetari Pavlos Papadopoulos: Ekzistojnë histori për anëtar të qeverisë që mbështesin interesa të veçanta në Himarë. Një prej tyre, historia e Artan Gaçi, bashkëshorti i Olta Xhaçka ministre e Jashtme, që është pronar i AGTÇ Hotel Managment dhe se kjo kompani është vendosur investitor strategjik në Himarë. Madje u bë bisedë e madhe në parlamentin shqiptar dhe Gjykatën e Lartë. Si e komentoni këtë?

Edi Rama: Leja që i’u dha këtij investitori ishte mes mijëra të tjerave që u dhanë nga Adriatiku në Veri deri në Jug. Pyetja nuk u drejtua nga pronarë që gjoja i vodhën. Përkundrazi, pronarët aty bënë një marrëveshje si kudo tjetër. Kur pronarët nuk janë të kënaqur nuk bëjnë marrëveshje ose flasin hapur për padrejtësitë. Pyetja ime është e thjeshtë: çfarë duan ata që reagojnë? Duan që njerëzit që jetojnë në Himarë të zhvillojnë tokën apo të jetojnë si Robinson Kruzo? Njerëzit përdorin tokën sipas planit dhe paguhen mirë, marrin shumë para. Duam të zhvillojnë Himarën, duam të zhvillojmë çdo zonë të vendit dhe nuk mund të më gjeni një rast kur në një zonë morëm tokë e lejuam investime strategjike duke shkelur të drejtat e pronarëve”.

Mbrojtja që Rama i bëri mikut të tij Artan Gaçi është e njëjtë në thelb me çdo rast tjetër kur miq, ministra e klientë të tij janë denoncuar publikisht: ai ka drejtuar gjithnjë gishtin ndaj denoncuesve, pa kërkuar vënë asnjëherë në lëvizje mekanizmat shtetërorë që ai kontrollon për të zbuluar se si qëndron e vërteta.

Ai do ta mbronte publikisht edhe Olta Xhaçkën kur opozita këmbëngulte që t’i hiqej mandati. Ai do ta justifikonte njësoj siç justifikoi vjedhjen e 5512 m2 tokë në Dhërmi nga bashkëshorti i saj, me një përgjigje të gjatë, në një konferencë për shtyp të 11 korrikut të vitit 2022.

Edi Rama: Unë jam shumë i lumtur që sa më shumë investitorë të huaj të vijnë në Shqipëri, por unë nuk hyj  tek ata që të huajt i shohin si kategori e parë dhe shqiptarët si kategori e dytë dhe unë mendoj se çdo vend ka nevojë për kampionët e vet edhe në ekonomi. E dyta, kjo e të afërmve me qeverinë është një këngë, që unë e kam dëgjuar gjithë jetën edhe e di që nuk do ndalet dhe as nuk do ndryshojë dot. Këtë e di, se aq më tepër në një vend si i yni dhe është një vend ku të gjithë dalin të afërm me njeri-tjetrin. Kështu që, nuk kam se çfarë përgjigje t’i jap kësaj, sepse dëgjoj lloj-lloj broçkullash, lloj-lloj shtrembërimesh, lloj-lloj afërsish që janë komplet të imagjinuara dhe për më tepër unë do doja të kishte edhe më shumë investitorë strategjikë shqiptarë, por nuk ka më shumë dhe duhet të bëjmë çmos që të ketë edhe më shumë. Ndërkohë që, investimet strategjike nuk janë bërë vetëm për të huajt, janë bërë edhe për shqiptarët dhe një pjesë e rëndësishme e tyre nuk shkojnë deri në fund pikërisht se proceset janë shumë strikte. Tani, kur vijmë tek ky rast konkret, unë di të them vetëm kaq: Në gjithë vijën bregdetare të Shqipërisë ka me mijëra dhe me mijëra subjekte, të cilat marrin në shfrytëzim një pjesë plazhi si rezultat i disponimit të një pronë private dhe një nga ato mijëra subjekte është dhe subjekti në fjalë. Tani çfarë duhet të bëjë në këtë rast? Duhet të thuhej që  meqë subjekti në fjalë është një subjekt i përbërë nga disa komponentë, një nga të cilët është dhe bashkëshorti i ministres dhe kanë një pronë private si mijëra e mijëra të tjera, ndryshe nga mijëra e mijëra të tjerë nuk mund të marrin të shfrytëzojnë plazhin përballë pronës private? Kjo duhej thënë?

Në fakt, askush nuk po i kërkonte kryeministrit shpjegime se përse u jepte statusin e investitorit strategjik biznesmenëve shqiptarë, por gazetarët dhe opozita po i vinin në dukje faktin se ai po shkelte ligjet për të favorizuar miqtë e tij.

Artan Gaçi u bë deputet i Kuvendit të Shqipërisë në vitin 2009, në të parat zgjedhje të përgjithshme që Partia Socialiste hynte në garë me kryetar Edi Ramën.
Rama e futi në listë mikun e tij të vjetër së bashku me një listë të gjatë biznesmenësh, disa prej të cilëve u detyruan t’i lënë mandatet gjatë rrugës paralamentare nga miratimi i ligjit të Dekriminalizimit. Artan Gaçi e la mandatin e tij para kohe, për arsye ende të paqarta.

Bashkë me Gaçin, Rama futi në listë edhe Olta Xhaçkën, e cila e zyrtarizoi martesën me biznesmenin e njohur si “Tani i Firences” pak kohë më pas, në një ceremoni ku nuk mund të mungonte miku dhe kryetari i Partisë që u siguroi mandatet e deputetit.

Olta Xhaçka do të zgjidhen dy herë ministre, në atë të Mbrojtjes ku është denoncuar për portin e Limionit dhe në ministrinë e Jashtme. /Zoom.al