zoom

Lajme

“Si mund t’i japësh tokë falas?” Parlamenti i Serbisë në kaos pas lajmit mbi projektin e Kushner

Pas lajmeve se Jared Kushner do të ndërtojë një hotel në një ndërtesë të bombarduar nga NATO në 1999 në Beograd, politika serbe nisi përplasjet. Presidenti i Serbisë, të hënën, shkrumboi çdo deklaratë se marrëveshja e bërë me Kushner, dhëndrin e Trump, ishte një formë ndikimi për tek ish-presidenti, në rast se kthehet në Shtëpinë e Bardhë.

“Qesha shumë”, u shpreh lideri serb, Aleksandar Vuçiç, duke ironizuar kështu lajmin se Kushner do të investojë 500 mln dollarë në Beograd. “Lexova në disa media se unë po e përdor këtë për ndikim politik tek Trump. Kam korruptuar Amerikën apo dikë atje. Unë qenkam një mrekulli. E pabesueshme çfarë mund të bëkam”.

Kushner që dikur ishte këshilltar i lartë i Trump në presidencë, është bashkuar me ish-bashkëpunëtorin tjetër të Trump, Richard Grenell. Marrëveshja në tentativë midis ekipit Kushner dhe qeverisë serbe konsiston në një pakt që ndërtesa t’i jepet Kushner për 99 vite pa asnjë kosto dhe të ndërtojë aty një hotel lukoz, një kompleks vilash dhe një muze.

Aleksandar Vuçiç dhe Richard Grenell/NYT

Partitë opozitare kundërshtuan planin duke thënë se ata janë të painformuar dhe e quajtën të pavend që një kompani e familjes Trump do të gjenerojë fitime nga një vend që vetë SHBA bombardoi para 25 vitesh.

“Ka mungesë dinjiteti, ndjeshmëria ndaj vendit”, tha Aleksandar Paviç, një anëtar i parlamentit serb. “Është si një shpullë në fytyrë. Turp!”.

Paviç tha se ai dhe partia e tij mund të mos mbështesin emërimin e një lideri të ri të rreshtuar me Vuçiç për të shërbyer si president i parlamentit serb, pjesërisht për të protestuar kundër propozimit të rizhvillimit.

Vuçiç tha se ishte i njohur pjesërisht me propozimim e Kushner, por tha se me detajet specifike po merret ministri i Financës, Sinisa Mali.

“Unë e di se ai kur bën diçka e bën me siguri, me zgjuarsi dhe përgjegjësi”, tha Vuçiç për Malin, që po ashtu ka miqësi të ngushtë me Grenell.

Një foto e të dyve u përdor për tallje nga një tjetër anëtar i parlamentit serb, Aleksandar Jovanoviç.

“Cili nga deputetët është dakord që t’i dhurojmë një kompanie amerikane offshore ndërtesën, të ngrejë dorën” tha Jovanoviç, por askush nuk e ngriti dorën.

Aleksandar Jovanoviç tregon në parlamentin serb foton Mali-Grenell/NYT

Dragan Djilas, drejtuesi i partisë më të madhe opozitare në Serbi dhe ish-kryebashkiak i Beogradit, tha në një intervistë se “do të tentojë ta ndalë projektin”. “Si mund t’i japësh dikujt tokë falas?”, tha ai.

Kushner dhe Grenell thanë se projekti ishte një mënyrë dëmshpërblimi për Serbinë nga bombardimi i NATO-s, duke shtuar se fitimet do të ndahen midis dy vendeve.

“Mundësia që investitorët amerikanë të rizhvillojnë ish-selinë ushtarake të qeverisë së ish-Jugosllavisë simbolizon përparimin e jashtëzakonshëm që është bërë për të shëruar plagët nga e kaluara,” tha Grenell. “Ky projekt do ta kthejë një simbol të konfliktit të mëparshëm në një urë miqësie dhe rinovimi”.

Projekti në Serbi është një nga tre që Kushner dhe Grenell po përpiqen të zhvillojnë në rajon, me dy të tjerë të planifikuar në Shqipëri. Investimi i tyre total në rajon për hotele luksoze dhe zhvillime të ngjashme do të kapte vlerën e rreth 1 miliard dollarë, thanë zyrtarët e kompanisë./NewYorkTimes