zoom

Bota

Si mund ta mposhtë Perëndimi dyshen Xi Jinping-Vladimir Putin

Tashmë ka nisur një fazë e re historisë. Rendi liberal botëror përballet me sfidën e tij më të madhe që prej kohës së rënies së Murit të Berlinit në vitin 1989. Jo vetëm me veprimet e Rusisë në kufi me Ukrainën, por edhe me manovrat e Kinës në Azi.

Miqësia gjithnjë e më e fortë midis Vladimir Putin dhe Xi Jinping, mund të bazohet në idenë se “armiku i armikut tim, është miku im”. Moska dhe Pekini janë bashkë nga dëshira për t’i dhënë fund rendit botëror të udhëhequr nga SHBA. Që të dyja këto vende, duan që të njihen dhe respektohen sferat e tyre të ndikimit.

Që të dyja kanë frikë nga përhapja e demokracisë, dhe duan që ta bëjnë botën të sigurt për regjimet e tyre autokratike. Një përfitim i menjëhershëm për Rusinë dhe Kinën nga lidhja e tyre e ngushtë, është se ato mund ta detyrojnë SHBA-në që të shpërndajë vëmendjen e saj në 2 zona.

Presidenti amerikan Joe Biden u tërhoq nga Afganistani, për t’u fokusuar më mirë tek konkurrenca që ka SHBA-ja me Kinën. Por tani ai e gjen veten duke i paralajmëruar amerikanët për pasojat ekonomike të një lufte në Evropë.

Trupat amerikane po vendosen tashmë në kufirin lindor të NATO-s, Pentagoni është duke menduar se si ta rifurnizojë Ukrainën në rastin e një konflikti, ndërsa Departamenti i Shtetit dhe Shtëpia e Bardhë janë të përfshirë në një diplomaci shumë intensive.

Kjo është një fitore për Rusinë e cila kërkon vëmendje, dhe një fitore për Kinën e cila nuk është për momentin në qendër të vëmendjes. Sipas ekspertëve, grumbullimi i aq shumë trupave ruse në kufi me Ukrainën, është bërë pjesërisht i mundur nga fakti se aktualisht ka më pak forca në kufirin midis Rusisë me Kinën dhe Mongolinë sesa në çdo kohë në 100 vitet e fundit.

Aftësia e tyre për ta detyruar armikun e tyre të përbashkët të operojë në dy fronte, do ta nxisë Moskën dhe Pekinin që të bashkërendojnë akoma më shumë veprimet e tyre. Një shqetësim i dukshëm është se çfarë do të ndodh nëse Rusia i bën presion Ukrainës në të njëjtën kohë kur Kina lëviz drejt pushimit të Tajvanit?

Edhe Uashingtoni nuk ka burime diplomatike dhe ushtarake për të reaguar ndaj të dyja krizave njëkohësisht. Ndarja e vëmendjes dhe burimeve të Amerikës, është një tjetër arritje e aleancës së sapolindur Putin-Xi. Një përfitim tjetër i marrëdhënies së tyre, është se ata i ofrojnë njëri-tjetrit një kundërvënie ndaj fuqisë ekonomike të Perëndimit.

Deri më sot, aftësia e Rusisë për të përdorur energjinë si një armë ka qenë e kufizuar. Ajo mund të ushtronte presion ndaj vendeve të vogla duke e ndryshuar çmimin e gazit. Pornëse nuk do ta shiste atë në Evropë, do ta kishte shumë të vështirë të gjente një treg alternativ. Tani që Kina po synon të kalojë nga qymyri tek gazi, Rusia ka një destinacion alternativ për produktin e saj kryesor të eksportit.

Ngjashëm, nëse Perëndimi do të ndalonte shitjen e gjysmëpërçuesve tek Rusia- siç e kanë bërë të qartë se do të ndodhë në rastin e pushtimit të Ukrainës Joe Biden dhe presidentja e Komisionit Evropian,Ursula von der Leyen – atëherë Kina do të ofronte një burim alternativ të furnizimit.

Është joshëse të mendohet se synimi i Perëndimit duhet të jetë ndarja e Rusisë nga Kina, duke ripërsëritur skemën mjeshtërore të Henry Kissinger gjatë Luftës së Ftohtë. Por edhe pse aktualisht midis Pekinit dhe Moskës ka disa tensione mbi Azinë Qendrore dhe Arktikun, interesat e tyre afatshkurtra janë shumë të lidhura, sa vështirë se do të binin në një kurth “kisingerian”.

Siç e theksuan japonezët këtë javë, në rast se bota demokratike dështon që të reagojë me forcë ndaj Rusisë nëse kjo e fundit hyn në Ukrainë, kjo gjë do ta inkurajojë Kinën të mendojë se mund ta rimarrë Tajvanin pa pasuar ndonjë pasojë serioze.

Bota e lirë duhet që ta reduktojë varësinë e saj nga këto regjime autokratike, që t’i bëjë sanksionet më të besueshme dhe konfliktin më pak të mundshëm. Shtetet e Bashkuara po e ndihmojnë tashmë Evropën që ta ulë disi varësinë e saj ndaj gazit rus.

Daniel Yergin, një ekspert amerikan i energjisë, thotë se për herë të parë gjatë muajit të kaluar Evropa mori më shumë gaz nga Amerika sesa nga Rusia. Përpjekja e presidentit francez Emmanuel Macron për të njohur energjinë bërthamor si njënjë burim të energjisë së gjelbër, dhe për të ndërtuar një gjeneratë të re të centraleve bërthamore, është një hap tjetër në drejtimin e duhur.

Por duhet të ketë edhe një qasje të koordinuar për zhvillimin e reaktorëve të vegjël modularë, të cilët do të ishin shumë më të lirë sesa termocentralet bërthamorë tradicionalë. Ata do ta reduktonin varësinë nga gazi rus,por njëkohësisht edhe emetimet e karbonit në atmosferë.

Bota demokratike duhet të synojë që të shkruajë rregullat për përdorimin e teknologjive të reja. Një ide interesante është propozuar nga Jared Cohen, që drejton departamentin e ideve në kompaninë Google, dhe Richard Fontaine, kreu i “Centre for Neë American Security”, një think-tank me lidhje të ngushta me administratën Biden.

Ata propozojnë krijimin e një aleance të demokracive të avancuara teknologjikisht:T12.

Ajo do të bënte bashkë SHBA-në, Britaninë e Madhe, Francën, Gjermaninë, Australinë, Kanadanë, Japoninë, Korenë e Jugut, Finlandën, Suedinë,ndoshta edhe Indinë dhe Izraelin për të krijuar rregulla të reja mbi përdorimin e Inteligjencës Artificiale, të dhënave personale, si dhe për të gjetur mënyra të tjera për t`iu kundërpërgjigjur sulmeve kibernetike.

Një bashkëpunim i tillë nuk do të jetë i lehtë. Kjo pasi SHBA-ja dhe BE-ja kanë standarde shumë të ndryshme për privatësinë e të dhënave. Por nëse vendet demokratike nuk mund të gjejnë dot një mënyrë për të bashkëpunuar, atëherë Kina mund të dominojnë këto sfera të reja të teknologjisë.

Bota demokratike duhet ta kuptojë se nuk mund të presë që SHBA të vazhdojë të mbajë një barrë ushtarake kaq të madhe. Ata në Uashington kërkojnë që vëmendja kryesore të jetë në Azi, por pretendojnë se Ukraina është një shpërqendrim nga problemi se si SHBA-ja duhet të përballet me Kinën.

Mënyra më e mirë është që evropianët të nisin të mbajnë peshën që u takon. Ekonomia e Rusisë mund të jetë më e vogël se ajo e Italisë. Por në vitin 2019 Kremlini shpenzoi rreth 30 për qind më shumë për mbrojtjen sesa Britania e Madhe, Franca apo Gjermania.

Putin sot po shkakton kaos, pasi ka investuar shumë mbi ushtrinë e tij. Fuqitë evropiane kanë kursyer dhe rezultatet po shihen tani. Nuk është strategjikisht e qëndrueshme që vetëm 9 anëtarë evropianë të NATO, përfshirë Britaninë dhe Francën, por duke përjashtuar Gjermaninë, të përmbushin normën minimale prej 2 për qind të PBB-së për shpenzime në mbrojtje. NATO vlerëson se SHBA shpenzoi 3.52 për qind të PBB-së së saj për mbrojtjen vitin e kaluar,Britania 2.29 për qind, Franca 2.01 për qind, Gjermania 1.53 për qind dhe Italia 1.41 për qind.

Por sot as objektivi prej 2 për qind nuk është më i mjaftueshëm. Për një farë kohe, vendet evropiane mund të thoshin se shpenzimet e larta në mbrojtje nuk ishin të nevojshme në botën e pas Luftës së Ftohtë, dhe se kishin mundësi të shpenzonin më shumë për shëndetin dhe mirëqenien sociale.

Por tani është thuajse e pamundur të mendohet kjo. Japonia duhet të heqë dorë nga kufiri i vetë-imponuar për të shpenzuar vetëm 1 për qind të PBB-së për mbrojtjen. Bota demokratike ka dallimet dhe tensionet e saj të brendshme. Interesat e anëtarëve të saj nuk janë të harmonizuara në mënyrë të përsosur, dhe ata janë konkurrentë ekonomikë me njëri-tjetrin. Megjithatë, nëse ata nuk mund të bashkohen në këtë moment përballë këtij kërcënimi të ri dhe të qëndrueshëm, atëherë bota do të bëhet më e sigurt për autokracitë, dhe më e pasigurt për demokracitë.