zoom

Aktualitet

Shuhet në SHBA “babai” i filmit të parë shqiptarë! Nga meraku për “Tanën”, te mesazhi për …

Kristaq Dhamo, “Nderi i kombit”, regjisori i filmit të parë artistik me metrazh të gjatë, që firmosi dhjetëra suksese kinematografike nga ‘Mëngjese Lufte’ tek ‘Vendimi’, u nda këtë të dielë nga jeta në moshën 89-vjeçare.

Pas komplikacioneve shëndetësore, regjisori u shua në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, pranë dy vajzave, siç shkruan regjisori Joni Shanaj, kineasti “iku një dhome ngjitur me Dhorkën, bashkëshorten dhe bashkudhëtaren e tij trimëreshë”.

Dhamo, siç komunikoi familja e tij, një muaj më parë kërkoi që Arkivi i Filmit të shfaqte filmin “Tana” të restauruar në Korçë, pasi konsideronte se ‘ishte qyteti, fshati dhe teatri i tij që i dhanë ndihmën më të madhe në realizimin faktik të filmit’. Drejtorja e Arkivit Marinela Ndria premtoi se filmi do të shfaqej jo vetëm në Korçë, por edhe në qytete të tjera.

2022-shi sa i përket kinematografisë shqiptare është edhe një vit jubilar, pasi shënohet 70-vjetori i themelimit të Kinostudios ‘Shqipëria e re”.

Kontributi i Dhamos, shënon jo më pak se këto 7 dekada, nga vënia e parë në skenë e “Dëftesës së pjekurisë” kur ende ishte student. Bashkëregjisor tek filmi “Furtuna”, Dhamo u ka dhënë jetë filmave si “Qortimet e vjeshtës” ku ishte edhe skenarist, “Brazda” e të tjerë.

Dhamo lë pas një krijimtari të pasur, një pjesë me peshë të historisë kinematografike së cilës siç thoshte ‘ s’mund t’i vihet kryq, pasi historia duhet njohur, sepse vetëm kur të njohim mirë historinë tonë, mund të bëjmë përpara.