zoom

Aktualitet

Shtyhet rritja e pagave, qeveria nuk paguan shtesën e prillit dhe majit për administratën

Rritja e pagave e përcaktuar në projektligjet e miratuara në Parlament dhe të dekretuara nga presidenti Bajram Begaj, do të fillojë të zbatohet sapo të jetë gati dokumentacioni i nevojshëm. Ministrja e Financave, Delina Ibrahimaj theksoi dje në një konferencë për mediat, se pagat për majin do të kalojnë siç ishin para miratimit të reformës, ndërsa shtesat për dy muajt maj e prill, kur shtrihet efekti financiar, sipas saj, do të bëhet më vonë. “Janë mbi 200 institucione të administratës që preken nga këto vendime, janë 130 mijë të punësuar, në shëndetësi e arsim. Zbardhja e vendimeve merr një kohë më të gjatë. U është kërkuar institucioneve që pagat e muajit maj të kalojnë siç ishin, para se të hynte ne fuqi reforma. Do të instruktojmë që shtresat të kalojnë si për prillin dhe majin. Jemi kujdesur që tatimi mbi të ardhurat, të jetë i duhuri. Synojmë të përmirësojmë hierarkinë e pagave publike, por do ndikojë edhe në biznesin privat”, deklaroi ajo. Sa i takon rritjes së pagave të deputetëve, Ibrahimaj mohoi zërat se ligji u miratua pa pasur një relacion mbi efektet financiare që e shoqërojnë. “Për rritjen e pagës së deputeteve, ka një përllogaritje 20 mln lekë ndikimi në buxhet, është bërë publik në komisionet parlamentare”, u shpreh Ibrahimaj.

Inflacioni në Shqipëri

Më tej ministrja Ibrahimaj theksoi se hyrja në qarkullim e parasë shtesë nga rritja e pagave, nuk do të ndikojë në inflacion, ndërsa theksoi se në shtator do të behet indeksimi pensioneve. “Indeksimi i pensioneve do bëhet për periudhën e paindeksuar për shportën e pensionistëve, që është e veçantë, nuk është si e gjithë, nga tetorit deri në shtator të vitit të ardhshëm. Piku ka qenë i inflacionit në shtator. Do shohim sa do jete në shtator dhe atëherë do aplikohet. Minimum jetik, është i lidhur me pagën minimale, shkoi 40 mijë lekë të gjitha transfertat janë rritur në bazë të kësaj”, nënvizoi Ibrahimaj.

Shtyrja e rritjes së pagave, Tabaku: U konfirmua që ishte premtim elektoral

Ndërkohë, nënkryetarja e Partisë Demokratike Jorida Tabaku, ka reaguar në lidhje me shtyrjen e rritjes së pagave për muajin prill. Sipas Tabakut ky është një tregues i qartë se e gjitha ka qenë për qëllime elektorale. Tabaku thekson se u vërtetua se ka qenë një premtim para zgjedhjeve, për të cilën nuk i kanë bërë aspak llogaritë mirë.“Zvarritja e pakuptimtë e qeverisë me rritjen e pagave kur ka që në dhjetor që i reklamon dhe mbasi janë miratuar dhe në parlament tregon se premtimi rritjes së pagave ishte reklamë e papaguar fushate dhe nuk ishte i bazuar në llogaritje korrekte të buxhetit. Nuk e di si ta kuptojmë Ministren e Financave që ka muaj që thotë paratë janë atje, që janë llogaritur efektet, që hyn në fuqi me sot me nesër. Paaftësia dhe këmbëngulja krenarisht në të nuk duhet të jetë justifikim për shtyrjen në kohë të një ligji të miratuar në parlament dhe të dekretuar. Ministri Financash që ngatërrohet në llogari është e pa zonja të menaxhojë arkën e taksave të shqiptarëve”, deklaroi Tabaku.