Aplikacion
Sipas VOA, zhvillimet kaotike në aeroportin e Kabulit po mbajnë pezull nisjen për në Shqipëri të grupit të qytetarëve afganë. Për dy ditë me radhë fluturimi është shtyrë në kohë të ndryshme. Parashikimi i fundit ishte se avioni do të nisej sot rreth orës 13 nga Kabuli, për të mbërritur në Shqipëri pasdite, por sërish ka qenë e pamundur.
Deri pasdite nuk kishte ende asnjë njoftim për nisjen nga Kabuli të të paktën 350 personave që do të strehohen përkohësisht në Shqipëri
Në pjesën ushtarake të aeroportit në Rinas janë ngritur tendat, ku qytetarëve afganë do t’u ofrohen shërbimet e para, si ndihma e parë shëndetësore, asistencë psikologjike/sociale dhe shërbimi bazik për ushqim apo nevoja të tjera të mundshme.
Qendra,është e pajisur me çadra mjekësore e të ndihmës së parë, dhe ka një kapacitet prej 400 personash. Strukturat në aeroport do të shërbejnë si ndalesa e parë pas mbërritjes në Shqipëri. Më pas, është parashikuar që me përfundimin e modaliteteve ligjore, qytetarët afganë, do të shoqërohen në strukturat pritëse në Tiranë apo Durrës, në varësi të numrit të personave që do të strehohen përkohësisht në Shqipëri.
Qyteti Studenti pritet të jetë streha e parë.