zoom

Bota

Shtëpia e ish-nënpresidentit Pence kontrollohet nga FBI-ja për dokumente sekrete

FBI-ja po kontrollon shtëpinë e ish-nënpresidentit Mike Pence në Indiana, në kuadër të një hetimi mbi ruajtjen e dokumenteve sekrete. Agjencia e lajmeve Associated Press ka marrë informacionin nga dy persona që kanë njohuri për hetimin, por që folën në kushte anonimitetit sepse nuk ishin të autorizuar të flisnin publikisht për hetimin.

Kontrolli në shtëpinë e zotit Pence pason gjetjen e dokumenteve me shënimin “të klasifikuara” nga avokatët e tij muajin e kaluar.FBI-ja tashmë i ka marrë dokumentet për të cilat avokati i ish-nënpresidentit Pence kishte thënë në një shkëmbim me Arkivin Kombëtar se bëhej fjalë për një “numër të vogël dokumentesh në një kuti që ishin transportuar pa dashje” në shtëpinë e zotit Pence në Indiana në fund të mandatit të administratës së presidentit Trump.

Mike Pence është i fundit në mesin e një numri ish-zyrtarësh të lartë amerikanë, të cilët morën dokumente sekrete pas largimit nga Shtëpia e Bardhë, duke përfshirë ish-presidentin Donald Trump dhe Presidentin Biden, i cili mori dokumente sekrete në fund të mandadit të tij si nënpresident i vendit, në vitin 2017.

Mike Pence, i cili po shqyrton mundësinë e kandidimit për zgjedhjet presidenciale të vitit 2024, dhe ndihmësit e tij kanë thënë se ai nuk ishte në dijeni që dokumentet ishin në shtëpinë e tij dhe se ata kanë bashkëpunuar plotësisht me forcat e zbatimit të ligjit lidhur me këtë çështje.

Policia të premten pasdite bllokoi rrugën jashtë lagjes së zotit Pence në Karmel të Indianës.

Kontrolli është bërë me konsensus dhe pasoi bisedat e gjata mes ekipit ligjor të ish-nënpresidentit Pence dhe FBI-së. Një anëtar i ekipit ligjor të zotit Pence ndodhej në shtëpi gjatë kontrollit që ai tha në kushte anonimitetit për agjencinë e lajmeve Associated Press se priste të zgjaste disa orë. Ai gjithashtu tha se FBI-së po i jepej qasje e pakufizuar në shtëpinë e ish-nënpresidentit Pence./VOA