zoom

Aktualitet

Shqiptari kapet me 142 kg kokainë në Spanjë, dyshohet se i përket një karteli

Dyshimet për një kamion që po lëvizte në mënyrë të çrregullt në Portin e Valencias, kanë çuar policinë spanjolle në zbulimin e një ngarkese të madhe kokaine.

Brenda mjetit të rëndë ishte shoferi dhe dy persona të tjerë të fshehur pas sediljeve të kabinës. Pas këqyrjes së kamionit, agjentët gjetën 142 pako, me peshë nga një kilogramë, me një lëndë të bardhë që pasi u analizua mirë rezultoi se ishte kokainë.

Tre personat që udhëtonin në mjet janë arrestuar për krim kundër shëndetit publik, teksa po tentonin të nxirrnin drogën nga porti i Valencias.

Bëhet fjalë për një 35-vjeçar argjentinas, një 33-vjeçar shqiptar, i cili dyshohet se ka bërë punën e një ‘noteri’ për të vërtetuar grumbullimin dhe dërgimin e mallit të paligjshëm dhe shoferi i kamionit, me kombësi spanjolle.

Ndalimet ndodhën kur agjentët e policisë që kryenin vëzhgimin në terminal vëzhguan një kamion që po shkonte tashmë drejt dyerve të daljes pasi kishte bërë një rrugë të dyshimtë.

Para se mjeti i rëndë të largohej nga ambientet e portit, agjentët e kapën atë, me mbështetjen e anëtarëve të sigurimit privat të objektit.
Shoferi i kamionit nuk ka bërë rezistencë, ashtu si edhe dy të dyshuarit e tjerë, të cilët ishin fshehur në kabinë.

Gjykata Hetimore numër një e Valencias ra dakord me burgimin e përkohshëm, pa mundësinë e lirimit me kusht, të tre të arrestuarve për krim kundër shëndetit publik për trafik droge që shkakton dëme të rënda për shëndetin. /ZOOM.AL/