Aplikacion
Familjet në Lezhë do të paguajnë 12% më shumë ujin, nga 58 në 65 lekë për metër kub ujë.
Në Mirditë, ku përfshihen dhe Rrësheni e Rubiku, uji do të kushtojë 50% më shtrenjtë, nga 30 lekë/m3 në 45 lekë/m3. Të njëjtin çmim do të paguajnë dhe familjarët në Kurbin. Në asnjërin nga qytetet, nuk janë rritur çmimet për bizneset apo institucionet.
Çmimet e reja do të hyjnë në fuqi në fillim të muajit prill.
ERRU ka miratuar dhe kostot e shërbimit të kanalizimeve të ujit të ndotur, ku për familjet në Lezhë do të jetë 19 lekë, për bizneset 29 lekë dhe për institucionet 25. Për Kurbinin, Rubikun dhe Rrëshenin tarifat e miratuara janë 15 lekë m3 për familjarët dhe 25 lekë për bizneset dhe institucionet.
Aplikimet e radhës që priten të miratohen nga ERRU janë ato ujësjellësit të Durrësit dhe Fierit që po ashtu kanë kërkuar rritje të çmimit. Pak muaj më parë ERRU rrëzoi kërkesën e UK Shkodër, Elbasan dhe Berat.
Në fund të dhjetorit 2023, Konkurrenca pas shqyrtimit të kërkesës së UK Vlorë për rritje çmimi, i kërkoi ERRU-së “që tarifat e ndryshuara, që do të miratohen nga ERRU për ndërmarrjen Ujësjellës Kanalizime Vlorë SHA, të jenë të orientuara drejt kostos së shërbimeve dhe të jenë të bazuara në parimin e mosdiskriminimit.”
Ujësjellës Kanalizimet kanë qenë prej kohësh dhimbje koke për qeverinë, për shkak të borxheve të shumta, keqmenaxhimit të arkëtimeve dhe vonesa e reformimit.
Në një projektligj të hedhur për konsultim së fundmi, Ministria e Infrastrukturës dhe Energjisë propozon që të zgjidhë ngërçet e ujësjellës-kanalizimeve me anë të koncesionit.