zoom

Stil

Shqiptarët dhe bullgarë kanë përdorimin më të ulët të internetit në Europë. Rekord Kosova

69% e individëve shqiptarë nga mosha 16 deri në 74 vjeç, kanë përdorur internetin në tre muajt e fundit, sipas të dhënave që i referohen fundit të 2019-s. Të dhënat janë raportuar nga Eurostat. Së bashku me Bullgarinë (68%), renditemi të fundit në Europë, nga 86% që ishte mesatarja e Bashkimit Europian-27 në 2019.

Nga shtetet e rajonit, rekordin e mbajnë shtetasit e Kosovës, 91% e të cilëve e përdornin internetin në vitin 2019. Ndërsa në 2020-n, kjo shifër është rritur në 96%, ndër më të lartat në Europë (të dhënat e Shqipërisë për vitin 2020 mungojnë).

Edhe shtetet e tjera të rajonit kanë përdorim të ngjashëm të internetit me Shqipërinë, me Bosnjën 70% dhe Malin e Zi 73%., ndërsa Serbia e ka këtë tregues 77%.

Sipas Eurostat, interneti është bërë gjithnjë e më i rëndësishëm në vitet e fundit dhe veçanërisht në vitin 2020, pas shpërthimit të COVID-19 dhe masave përkatëse të izolimit dhe distancimit shoqëror.

Në vitin 2020, 87% e njerëzve të moshës 16-74 në BE raportuan se kishin përdorur internetin gjatë 3 muajve të mëparshëm. Kjo përqindje luhatet nga 70% në Bullgari në 99% në Danimarkë. Përdorimi i internetit është rritur me shpejtësi gjatë viteve – në 2010 ai ishte 67% dhe në 2015 në 78%.

Në vitin 2020, interneti u përdor kryesisht për të dërguar / marrë e-mail (74%), për të gjetur informacion në lidhje me mallrat dhe shërbimet (69%), për mesazhe të menjëhershme (68%), lajme në internet (65%) dhe telefonim ose video thirrje (60%).

Shumica e njerëzve gjithashtu përdorën internetin për bankë (57%), për të dëgjuar muzikë (56%), për të marrë pjesë në rrjetet sociale (56%) dhe për të kërkuar informacione shëndetësore (55%).

Për të respektuar masat e distancës sociale në fuqi nga Marsi 2020 në shumicën e Shteteve Anëtare të BE-së, telefonat ose thirrjet video në internet ishin një mundësi për të qëndruar të lidhur.

Në BE, 60% e njerëzve të moshës 16-74 vjeç bënë thirrje telefonike ose video në internet në vitin 2020 në 3 muajt e fundit para sondazhit. Nga të gjithë aktivitetet e internetit, thirrjet telefonike ose video regjistruan rritjen më të madhe krahasuar me 2019 (52%) si dhe që nga fillimi i mbledhjes së të dhënave të tyre (17% në 2008).

Midis Shteteve Anëtare të BE-së me të dhëna të disponueshme, thirrjet telefonike ose video përmes internetit ishin më të popullarizuara në Qipro (85%) dhe Holandë (83%). Në të kundërt, kjo përqindje ishte më e ulëta në Çeki dhe Slloveni, ku vetëm pak më shumë se gjysma (52%) e njerëzve të moshës 16-74 vjeç bënë thirrje telefonike ose video në internet në vitin 2020 në 3 muajt e fundit para sondazhit.

Në Shqipëri, për të dhënat që i përkasin vitit 2019, rreth 63% e individëve e përdorën internetin për të realizuar thirrje dhe video telefonike.