Aplikacion
Finalja në Paris e Champions League, mes Real Madrid-it dhe Liverpool-it, e nxiti Ramën drejt një udhëtimi luksi së bashku me të shoqen, Lindën dhe djalin e tyre, Zahon.
Si për ironi të fatit, një kapriço e tillë vjen në një kohë kur publikisht, kryeministri u ka kërkuar ministrave të mos udhëtojnë jashtë, me përjashtim të rasteve kur fluturimet e tyre janë për arsye pune.
I gozhduar për shpenzimet marramendëse me avionin misterioz (Zoom.al e ka denoncuar ndër mediat e para diçka të tillë), Rama do deklaronte se udhëtimet e tij do të ishin tani e tutje, përherë ekonomike (economy class), edhe pse ai udhëton më së shumti me avionin qeveritar, kostot e të cilit nuk i ka berë kurrë publike.
Udhëtimi kësaj here ka qenë privat, çka nënkupton se kryeministrit i është dashur të nxjerrë “nga xhepi” ca para për biletat. Zoom.al nuk ka mundur të mësojë nëse ka udhëtuar në Economy apo Business Class. Por kryeministri është i kujdesshëm ato pak herë kur i duhet të udhëtojë me avionë linje.
Megjithatë, fatura që i është dashur të shpenzojë për dy ditë në Paris, duhet të ketë qenë e majme, me hotelin, ushqimin, dëfrimin, çka në jetën luksoze të një kryeministri mund të luhatet në kufijtë e dhjetëra mijëra eurove.
Me një kërkim të thjeshtë në internet zbulohet se një natë në një hotel me 5 yje në Paris ka qenë 1 mijë euro. Me dy dhomat që i janë dashur, kryeministri ka paguar “nga xhepi” të paktën 4 mijë euro.
Mbetet për t’u parë në deklarimin e pasurisë, se si do të shënohet ky shpenzim.
Por ajo që dihet ështe se tenda shqiptarëve u kërkohet të shtrëngojnë rripin deri në skaj, kryeministri vazhdon të jetojë në luks./ Zoom.al