zoom

Aktualitet

Shqipëria vendos sot për kthesë apo vazhdimësi/Numri i zgjedhësve 26% më i lartë se popullsia në vend

Sot po mbahen zgjedhjet për Kuvendin e Shqipërisë. Janë 3,588,869 persona, që sipas të dhënave zyrtare të Komisionit Qendror të Zgjedhjeve sot kanë të drejtën e votimit.

Por, për shkak të emigracionit të lartë të popullsisë, me rreth 40% të shqiptarëve që jetojnë jashtë, numri i zgjedhësve në listat për votimet, i gjeneruar nga Drejtoria e Përgjithshme e Gjendjes Civile është 26% më i lartë së popullsia banuese në Shqipëri.

Sipas INSTAT, popullsia banuese në vend është 2,845,955 persona, nga të cilët rreth 23.7% janë nën moshën 19 vjeç. Për rrjedhojë, popullsia në moshë votuese rezidente në vend është sa rreth 60% e asaj që ka të drejtë vote.

107 mijë zgjedhës votojnë për herë të parë

Sipas të dhënave që u referohen listës zyrtare 50.5% e zgjedhësve janë meshkuj dhe 49.5% janë femra. Nga këta, 107,024 zgjedhës votojnë për herë të parë.

Në dispozicion të zgjedhësve janë 5199 qendra votimi të vendosura në 92 Zona të Administrimit Zgjedhor.

Çdo qytetar mund të verifikojë emrin e tij në listën e zgjedhësve nëpërmjet shërbimit online në portalin “e-albania” si dhe për çdo pretendim mund t’u drejtohet zyrave të Gjendjes Civile në bashki dhe njësi administrative, të cilat do të vijojnë të qëndrojnë të hapura nga dita e hënë, deri në ditën e shtunë.

Partia Socialiste, si partia më e madhe e shumicës, ka propozuar si kandidatë për deputetë 91 gra dhe 139 burra, pra përkatësisht 39.56% dhe 60.44%. Ndërsa, Partia Demokratike, si partia më e madhe e opozitës, ka propozuar 69 gra dhe 161 burra, përkatësisht 30% dhe 70%. Vërehet se të dyja partitë janë në përputhje të dispozitave për përfaqësim gjinor.

Ndërkohë janë pajisjet e votimit dhe numërimit elektronik, projektit pilot i cili për zgjedhjet e datës 25 prill do të zbatohet vetëm në ZAZ-në nr. 40. Pajisja Elektronike e Votimit dhe Numërimit, e cila do të përdoret vetëm në njësinë nr. 10 në Tiranë, lejon votimin në mënyrë të thjeshtë dhe të sigurt për qytetarët. Vota elektronike shoqërohet me votën e printuar, e cila verifikohet nga vetë zgjedhësi, para se ajo të bjerë në kutinë e votimit.

KQZ ka shpjeguar se softëare i pajisjes ofron standarde të larta sigurie dhe ndërfaqja e votimit është e ngjashme me fletën e printuar të votimit. Në këtë mënyrë, votuesi do ta ketë të lehtë ndërveprimin me pajisjen. Për zgjedhjet e datës 25 prill 2021, KQZ do të vendosë 2 pajisje të votimit elektronik për çdo qendër votimi, në mënyrë që procesi i votimit të jetë i shpejtë dhe të mos krijohen radhë në qendrën e votimit. Numërimi do të kryhet në ambientet e ZAZ 40 dhe do të jetë numërim elektronik në njësinë administrative nr. 10 në kryeqytet.

Të 5199 qendrat e votimit janë të pajisura me kamera, gjithashtu funksionon një sistem mbikëqyrje në Vendet e Numërimit të Votave, ku përfshihen kamerat e vëzhgimit, kamerat të cilat do të demonstrojnë procesin e numërimit të fletëve të votimit dhe të gjithë pajisjet e teknologjisë së informacionit që do ta lehtësojnë këtë proces.

Nga viti 1991 kur u bënë zgjedhjet e para pluraliste, numri i votuesve në listat është rritur në një kohë që popullsia banuese në vend është ulur, e ndikuar nga emigracioni i lartë. Edhe për shkak të ndryshimit të strukturës së popullsisë drejt moshave më të vjetra, numri i zgjedhësve ka ardhur në rritje, ndërsa pjesëmarrja në votime, në ulje.

Në vitin 1991 në listat e zgjedhësve ishin 1,984,933 votues, ndërsa morën pjesë në votime 98.9%. Në vitin 2001, në lista ishin 2,499,238 persona dhe morën pjesë në zgjedhje 55%. Në vitin 2017, lista e zgjedhësve ishte me 3,452,324 votues, ndërsa morën pjesë në 46.7% e tyre.

Garë e ashpër

Partia Socialiste (PS) erdhi në pushtet në vitin 2013, tetë vjet pas qeverisjes së Partisë Demokratike (PD). Gara mes dy partive mbetet e fortë. Sondazhet e deritanishme nxjerrin fituese herën njërën palë (socialistët) dhe herë palën tjetër (demokratët + LSI). Veriu ka qenë tradicionalisht një bastion i PD-së, ndërsa në Jug është në avantazh PS-ja.

Në rajonin e qendrës, sidomos Tirana e Durrësi, që nxjerrin dhe numrin më të lartë të deputetëve, diferencat janë të ngushta dhe mënyra se si do të votohet në to, që të jenë vendimtare në rezultatet finale.

Sondazhet këtë vit kanë nxjerrë një numër të lartë të të pavendosurve, të ashtuquajtur elektorat gri, i cili luhatet mes 15-20% të votuesve, një peshë që mund të ndikojë ndjeshëm në verdiktin përfundimtar të sovranit.

Ajo qe mbetet e pamatshme është potenciali i shtrembërimit të rezultatit, nëpërmjet presioneve dhe blerjes së votës, një procedurë që partitë politike e kanë përdorur rëndom në zgjedhjet e pas ’90-s./MONITOR