zoom

In Zoom

Shqipëria në krizë, por Rama nuk heq dorë nga udhëtimet e luksit me charter

Shqipëria është zyrtarisht në krizë. Krizë për shkak se energjia elektrike mungon, krizë se çmimet e kaburantit dhe të disa produkteve të tjera janë në nivelet më të larta historike, krizë në financa për shkak se e ardhmja është më e paqartë se kurrë si pasojë e luftës në Ukrainë.

Gjithkush po shtrëngon xhepin me shpenzimet. Investitorët i kanë ndërprerë financimet e projekteve, grosistët e mjaft produkteve që nuk janë jetësore i kanë kthyer mbrapsht porositë e zakonshme, tregtarët po marrin më pak mallra, supermarketet kanë më pak blerës, konsumatorët po blejnë më pak, po udhëtojnë më pak.

Qeveria ka ndërmarrë disa nisma pas presionit qytetar me anë të protestave, por efekti i tyre do të duhet edhe pak kohë të ndihet.

Me pak fjalë të gjithë po e shtrëngojnë rripin, përveç një individi të vetëm. Ai është vetë kryeministri, njeriu që ka mbi dy javë që predikon krizën dhe pasojat, njeriu që sulmon ata që shpenzojnë karburant me X5-sa dhe para me iPhonë të fundit, njeriu që gati – gati po u lexonte protestuesve edhe etiketat e xhaketave që kishin veshur, vetëm e vetë për të treguar se ata nuk ishin edhe aq hallexhinj.

Në pikun e krizës, në një kohë kur qyetarëve u bën thirrje papushim, sa nga zyra, sa nga makina, sa nga takimet e sajuara me biznese, që të ndryshojnë mënyrën e jetesës, sepse eneergjia e karburanti edhe mund të mungojnë për fare, vetë kreu i qeverisë vijon të jetojë si më parë, mes një luksi të tepruar e të panevojshëm, në kontrast me vendin që drejton.

Ai udhëtoi dje për të marrë pjesë në samitin e NATO-s, në Bruksel, me një avion charter.

Zoom.al mëson se ai përdori një LEARJET 60XR, një avion 7 -vendësh me 2 anëtarë të ekuipazhit.

Janë 3 orë fluturim nga Rinasi në Bruksel dhe 3 në kthim. Një LEARJET 60XR i ka kostot 2550 euro për orë (shih foton më poshtë). Në 6 orë vajtje-ardhje kostoja e tij është 15,300 euro.

Avioni charter me te cilin udhetoi Rama ne Bruksel

 Nëse do të udhëtonte me avionin e linjës, ai do të kishte shpenzuar afro 10 herë më pak.

Nga Tirana në Bruksel, çmimi i biletës është më pak se 200 dollarë, ose 400 vajtje ardhje.

Këto shpenzime të kryeministrit janë para që u shtohen shqiptarëve për t’i paguar, veç naftës e benzinës së shtrenjtë që duhet të paguajnë për shkak qeveria Rama është e vetmja në rajon që nuk uli taksat që mblidhen bashkë me karburantin.

Kur erdhi në pushtet kryeministri tha tha se ai dhe ministrat e tij nuk do të udhëtonin as në Bussines Class siç kishin bërë paraardhësit e tij, por në Economy Class, me qëllim për të kursyer.

Por pushtetit, sa më i madh të jetë, aq më të largëta e më të pavlera i duken premtimet e dhëna.

Berisha, për shembull, edhe kur udhëtoi për në Bruksel ditën historike të antarësimit të Shqipërisë në NATO, udhëtoi me avion linje. Ndërsa Rama përdor charter.

Sepse ai nuk paguan asnjë qindarkë nga xhepi i tij, është e thjeshtë. I paguajnë shqiptarët, të cilve ai u kërkon të durojnë “pasojat e luftës në Ukrainë”, e bashkë me të edhe udhëtimet charter.

Deri tani, ai në fakt ka përdorur avionin qeveritar “Ismailin”, i cili ka kosto rreth 15 mijë euro në muaj, një avion luksoz, të cilin nuk e kanë as kryeministrat e vendeve më të zhvilluara të Europës, si Spanja, Danimarka, Norvegjia, Suedia etj. /Zoom.al