zoom

Slider

Shqipëria mposht Hungarinë në “Elbasan Arena”!

Shqipëria arriti të marrë tre pikë të arta, duke fituar me rezultatin e ngushtë 1-0 ndaj Hungarisë në “Elbasan Arena”.

Heroi i ndeshjes ishte Armando Broja, i cili falë një goli në minutat e fundit, i dha kuqezinjve një sukses shumë të rëndësishëm ndaj rivalit direkt për vendin e tretë në grup.

Pjesa e parë u dominua nga kuqezinjtë, gjithsesi, të parët që tentuan golin ishin miqtë, të cilët shpërdoruan me anë të Gazdag, i cili nuk e mposhti dot Berishën në një duel një për një.

Rastin më të pastër e patën kuqezinjtë, në minutën e 38, kur Marash Kumbulla nuk arriti dot të dërgojë në rrjetë topin, kur ishte vetëm një metër nga porta hungareze, me portierin të mposhtur.

Në pjesën e dytë, sërish rastet më të pastra i patën kuqezinjtë, me Balajn dhe Çekiçin që dolën përballë portierit hungarez, por nuk mundën ta mposhtnin dot.

Ndërkohë, në minutën e 86 Szobozlai rrezikoi portën tonë me një diagonal, që përfundoi jashtë për fare pak.

Një minutë më vonë, Broja bëri që të shpërthente “Elbasan Arena”, kur pas një aksioni individual, goditi saktë në hyrje të zonës, duke shënuar golin e vetëm të ndeshjes e duke i dhënë Shqipërisë 3 pikë shumë të rëndësishme.

Renditja

Me këtë fitore, Shqipëria ngjitet momentalisht në vendin e dytë të grupit 1, me 9 pikë, dy më shumë sesa Polonia e vendit të tretë, por që do të luajë ndaj San Marinos.