zoom

Ide & Blog

Shqipëria ka nevojë për një Republikë të dytë

Nga Agim Nesho

Kur shoqëria kërkon dhe pranon të ketë një Republikë demokratike sigurisht priret të ketë elementet bazë të saj, si liria e shprehjes dhe veprimit, zgjedhjet e lira dhe të ndershme, funksionimin e shtetit të së drejtës, etj.

Ndryshe nga demokracia si sundim i shumicës, dhe rreziku i saj të prodhojë ‘tiraninë e mazhorancës’, Republika demokratike funksionon në respektimin e Kushtetutës dhe pavarësinë e pushteteve. Ndarja dhe balancimi i pushteteve është mekanizmi bazë për mos shkarjen e Republikës në një sistem autokratik me prirje diktatoriale.

Në historinë e saj, Shqipëria nuk ka pasur eksperiencë tjetër demokratike, përvese 35 vitet e fundit që erdhën si rezultat i revolucionit demokratik në gjithë Europën Lindore. Përpara saj eksperienca e saj e vetme ishte feudalizmi, sundimi i perandorive Bizantine dhe Osmane, diktatura komuniste duke mos njohur periudhat e evoluimit të shoqërisë njerëzore si Rilindja, Revolucioni Industrial , kapitalizmin e tregut, të cilat kishin përparuar shoqërinë dhe krijuar individualitetin dhe lirinë tek individi. Shoqëritë Lindore, siç shprehet dhe Samuel Huntington, duke kaluar nga sistemet perandorake dhe feudaliste, diktaturat komuniste mbeten psikologjikisht të nënshtruara ndaj rolit të liderit, pa njohur të drejtat e tyre dhe të shoqërisë së lirë.

Shqipëria, gjatë periudhës 35 vjeçare të demokracisë, duket se po mbyll ciklin e sistemit demokratik duke tentuar të kthehet në një diktaturë të re putineske. Ajo filloi pas viteve ’90 me revolucionin demokratik dhe ndryshimi i sistemit politik të drejtuar nga PD dhe Dr. Berisha, hodhi hapa të fuqishme në transformimin demokratik të shoqërisë dhe ekonomisë së tregut, vazhdoi me një ekonomi liberale tregu gjatë qeverisjes së Nanos, arriti të realizojë transferimin paqësor të pushtetit nga PS tek PD dhe prapë tek PS. Ardhja e Ramës në pushtet ishte tronditja e parë për demokracinë e brishtë Shqiptare, që u vu re që në fillim nga ambiciet ekstreme të tij për pushtet, bashkëpunimin e tij me krimin e organizuar dhe shpalljes së tij si misionar në politikë, duke parë qartë që nuk përfaqësonte interesat e zgjedhësve apo të militantëve të partisë socialiste por të një klike të ngushtë me qëllim mbajtjen e pushtetit. Koha tregoi që ai kapi institucionet e vendit, kapi shtetin, zgjeroi bashkëpunimin me krimin e organizuar, e ktheu Shqipërinë në një platformë të prodhimit dhe shpërndarjes së drogës dhe kapi sistemin e drejtësisë për të zhdukur opozitën dhe goditur liderat e saj.

Vendimet e fundit të Gjykatës Kushtetuese, gjykatë që shkel parimet kryesore të Kushtetutës dhe duket qartë që është nën influencën dhe përdorimin nga Autokrati, tregon dhe fundin e shtetit të së drejtës në Shqipëri. Shqipëria sot nuk është më as demokraci dhe as Republikë dhe ka arritur në nivelin zero të kontratës sociale me popullin e saj për ta bërë Shqipërinë njësoj si Europa. Nevoja për një Republikë të dytë demokratike tashmë është bërë një domosdoshmëri. Republika e Dytë do të kërkojë rindërtimin e të gjitha institucioneve dhe respektimin e shtetit të së drejtës. Por si mund të arrihet kjo?

Së pari, Shqipëria është në momentin që opinioni publik duhet të zgjidhë dilemën nëse do të luftojë për demokraci apo do të pranojë një diktaturë që po instalon regjimi i Ramës. Një revolucion me ngjyrë si në Ukrainë, Gjeorgji mund të ketë arritur pikën e vlimit brenda vendit, por pengohet nga blerja e influencës nga regjimi tek faktori ndërkombëtar dhe projekti famëkeq dhe anti-kombëtar i regjimit që ka shpopulluar vendin, nga ku janë larguar mbi 1 milion banorë.

Megjithëse shkaku i ndryshimit është rivendosja e shtetit ligjor dhe demokracisë, Shqipëria mund të ketë revolucionin kuq e zi për të mbrojtur interesat e kombit, kur dihet që regjimi është i lidhur ngushtë me projektet serbo-ruse të ndryshimeve gjeopolitike në Ballkan. Revolucionet e sotme janë lëvizje për ndryshim dhe jo domosdoshmërisht revolucione të përgjakshme dhe shkatërruese, ashtu si dhe diktaturat e sotme janë diktatura që shtypin dhe zhvasin popullin.

Së dyti, në kushtet e sotme gjeopolitike dhe luftës për influenca të huaja në Europë, qasja e opozitës për mosbindje civile është më realiste dhe më rezultative. Realizimi i qeverisë teknike dhe garantimi i zgjedhjeve të lira dhe të ndershme duhet të jetë një kërkesë e panegociueshme. Miratimi së fundmi i rezolutave të Partive të qendrës së djathtë botërore si dhe të forcës më të madhe politike europiane EPP për situatën dramatike në Shqipëri janë jo vetëm sinjale pozitive por një shpresë bindëse që situata në Shqipëri do të ndryshojë shpejt në favor të forcave opozitare pro demokratike.

Së treti, duhet të krijohet një front i bashkuar opozitar i të gjitha forcave politike që kërkojnë ndryshim dhe rikthim të shtetit të së drejtës në Shqipëri. Propaganda e Ramës dhe e përkrahësve të tij, se opozita nuk ka alternativë dhe lidership, është një propagandë që i shërben vetëm projektit të tij korruptiv. Për më tepër që kjo është një luftë për sistemin politik sesa një luftë për pushtet. Garancinë që sjell lidershipi i Opozitës, që legasinë e tij e ka të lidhur me demokracinë dhe që nuk blihen dhe ofrojnë kompromis me regjimin, është më i besueshëm se sa opozitarët që mbeten tek platforma e tyre “ikni ju se do të vijmë ne”. Në politikë alternativat fitojnë me votë dhe kjo arrihet vetëm nga besimi që krijohet në opinionin publik për aksionin tënd politik, konsekuencën dhe vlerat që përfaqëson. Prandaj shpëtimi i demokracisë Shqiptare sot kërkon një Bashkim në Diversitet. Po aq e rëndësishme është që opozita ta konceptojë këtë luftë jo si luftë ideologjike, as vetëm si luftë pro vlerave konservatoriste, por si front të përbashkët lufte në mbrojtje të sistemit politik të Republikës kundër një regjimi korruptiv që shkatërron dhe vjedh popullin e tij. Dhe në këtë drejtim Dr. Berisha ka vizion më të qartë se opozitarët e tjerë për të mos mënjanuar grupime të ndryshme dhe për të besuar se fiton Shqipëria.